Vrasja e 27 vjeçarit shqiptar, çfarë thanë në polici 3 të arrestuarit: E ndoqën 2 javë dhe…

  • 27 March 2019 - 11:08
Vrasja e 27 vjeçarit shqiptar, çfarë thanë në polici 3 të arrestuarit: E ndoqën 2 javë dhe…

Tetë ditë pas ekzekutimit të 26-vjeçarit Jurgen Kurti në Tiranë, Policia ka arrestuar 3 persona, të dyshuar si bashkëpunëtorë në krim, ndërsa ka shpallur në kërkim personin që ka shkrepur armën.

Burime nga grupi hetimor thanë se tre personat e arrestuar kanë pranuar të jenë përfshirë në vrasjen e 26-vjeçarit Jurgen Kurti, duke treguar edhe mekanizmin e ngjarjes.

Mësohet se ata kanë deklaruar ta kenë vëzhguar prej afro 2 javësh Kurtin, duke mësuar të gjitha lëvizjet e tij.

Por sipas tyre, asnjëri prej tyre nuk ka qëlluar me armë në drejtim të tij. Ata janë identifikuar përmes përgjimeve të kryera nga ana e grupit hetimor, ku në bisedat mes tyre kanë përmendur edhe një shumë prej 30 mijë eurosh, që dyshohet të jetë pagesa për realizimin e vrasjes.

Megjithatë, kjo ende nuk është saktësuar. Nga ana tjetër, asnjëri prej të arrestuarve nuk ka pranuar të japë të dhëna rreth personit që ka porositur krimin, duke pretenduar se nuk kanë dijeni.

“Veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të ngjarjes. Për arsye hetimore ,nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera, pasi cenojmë hetimin”, tha zyrtarisht Policia.

Arrestimet

Policia e Tiranës tha dje zyrtarisht se pas një pune të mirëorganizuar nga Sektori i Hetimit të Krimeve Ndaj Jetës dhe Pronës, në bashkëpunim me Prokurorinë, është arritur të bëhet dokumentimi ligjor i vrasjes së Jurgen Kurtit, më datë 18 mars 2019, rreth orës 22:30, në rrugën “Zef Jubani.

Në lidhje me këtë ngjarje janë ndaluar/arrestuar shtetasit: E.L., 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë; A.B., 33 vjeç, lindur në Patos dhe banues në Patos, Fier; O.Q., 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos; Si dhe u bë shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër”, tha zyrtarisht Policia.

Ndërsa sqaroi se nga informacionet e grumbulluara, provat e administruara dhe të sekuestruara, si dhe tërësia e veprimeve hetimore të kryera, dyshohet se autorët e kësaj ngjarjeje janë shtetasit e mësipërm, së bashku me një shtetas tjetër të shpallur në kërkim.

Policia gjatë kontrollit fizik dhe në banesat e këtyre shtetasve gjeti dhe sekuestroi një automjet, që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu, edhe një armë zjarri pistoletë “TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 eurosh e lekë shqiptare, 13 aparate celularë, si dhe një sasi të vogël lënde narkotike.

Zbardhja e krimit 

Policia e kryeqytetit tha dje se është zbardhur vrasja e ndodhur më 18 mars në rrugën “Zef Jubani”, megjithëse ende nuk ka sqaruar motivet e krimit. Kjo, edhe për arsye se autori kryesor, ai që ka shkrepur mbi 20 plumba mbi Kurtin, por edhe personi që dyshohet se ka porositur vrasjen e tij, ende nuk janë kapur.

Burime nga grupi hetimor thanë se Jurgen Kurti dyshohet të jetë ekzekutuar nga vrasës me pagesë. Ndërsa paraprakisht ka të dhëna se për krimin e ndodhur në mes të Tiranës mund të jenë paguar 30 mijë euro. Shumë kjo, që ka dalë nga përgjimet e kryera për llogari të hetimeve, edhe pse ende nuk është saktësuar plotësisht arsyeja pse është përmendur mes të arrestuarve kjo vlerë parash.

Burimet thanë dje se të arrestuarit janë shtetasit: Elsi Levendi, 21 vjeç, Alesio Berberi, 33 vjeç dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, miq me njëri-tjetrin. Materialet në ngarkim të tyre janë referuar në Prokurori për veprat penale “Vrasje me paramendim, e kryer në bashkëpunim”, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”, “Prodhim dhe shitje të narkotikëve”.

(Kosova Sot)