Rrotacioni i madh, ja pse Mustafa e Kurti nuk po e kërkojnë dorëheqjen e Thaçit

  • 08 April 2019 - 17:39
Rrotacioni i madh, ja pse Mustafa e Kurti nuk po e kërkojnë dorëheqjen e Thaçit

Presidenti Hashim Thaçi po akuzohet se në prapaskenë po e shtyn planin për copëtimin territorial, ndërkaq në anën tjetër publikisht përkujdeset që të mos ketë kushte për Serbinë, që gjithçka të shkojë sipas skenarit Vuçiq-Rama-Thaçi.

E profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi, në një intervistë ekskluzive për gazetën “Kosova Sot”, ndër tjerash ka thënë se është e domosdoshme që LDK-ja dhe VV-ja të realizojnë protestat kundër Thaçit, për rrëzimin e tij nga pushteti.

“Po. Hashim Thaçi po përdor të gjitha mjetet e mundshme për ta copëtuar territorin e Kosovës, duke i shërbyer kësisoj planeve ruse dhe serbe në Ballkan. Ai luan hapur e fshehtas në Prishtinë dhe jashtë saj, gjithnjë me paratë e taksapaguesve të Kosovës. Në Prishtinë ka punuar fort që të krijojë çoroditje dhe ta paralizojë aksionin politik kundër ndarjes. Opozita këto ditë kërkon ta rrëzojë qeverinë, por jo edhe presidentin. Në kushte normale opozita duhet të zhvillojë aksione politike kundër qeverisë. Por në kushtet kur Kosovës ia rrezikon sovranitetin dhe integritetin territorial vetë kreu i shtetit, atëherë aksioni politik drejtohet kundër tij. Opozita e akuzonte Thaçin para dy vitesh se po bën shkelje kushtetuese. Tani, ndonëse bën ndonjë deklaratë të shpërlarë kundër idesë së Thaçit për territoret, nuk mobilizohet në aksionin e saj politik kundër tij. Mendoj se është e domosdoshme që LDK-ja dhe VV-ja të realizojnë protestat kundër Thaçit, për rrëzimin e tij nga pushteti. Nëse arrin këtë, atëherë është shumë lehtë të kërkojë e të bëhen zgjedhje të reja, me qëllim testimin e elektoratit në vend”, ka thënë profesor Bytyçi.

Ai ka treguar edhe arsyen pse Mustafa dhe Kurti nuk po e kërkojnë dorëheqjen e Thaçit.

“Por, as Isa Mustafa, as Albin Kurti nuk po kërkojnë dorëheqjen e presidentit. Me sa duket ata janë pajtuar që të bëjnë rrotacion pushteti politik sipas modelit të sistemit të kaluar të ndërtuar nga Hashim Thaçi. Opozita duhet të japë një alternativë ndryshe. Alternativë për një sistem të ri politik me president ose kryeministër Hashim Thaçin nuk mund të ketë në Kosovë. Pjesa e dukshme dhe e padukshme e veprimtarisë antishqiptare të Hashim Thaçit lidhet me aksionin e tij politik jashtë Kosovës për ta shkatërruar Kosovën. Fatmirësisht ka kohë që nuk ka udhëtuar në vizita jashtë, por ka bërë takime të fshehta me presidentin e Serbisë, me qëllim rekordimin e planeve për realizimin e projektit të përbashkët kundër Kosovës. Ka të dhëna se në këto takime sekrete merr pjesë këshilltari dhe ndërmjetësi i tij me Beogradin, Baton Stanishiqi. Ai i duhet Thaçit e Ramës për dy arsye, për t’u sugjeruar argumente pro agjendës serbe në Kosovë si dhe për të garantuar tutorët në Beograd, se këta nuk kanë kthim mbrapsht: Janë të vendosur ta rrënojnë pavarësinë, shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës!”, ka deklaruar për “Kosova Sot”, profesori ndërkombëtar, doktor Enver Bytyçi.

(Kosova Sot)