SHBA-ja ua ndalon hyrjen 16 sauditëve për shkak të vrasjes së Khashoggit

  • 09 April 2019 - 15:21
SHBA-ja ua ndalon hyrjen 16 sauditëve për shkak të vrasjes së Khashoggit

Sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, ka njoftuar se ua ka ndaluar hyrjen në SHBA 16 qytetarëve të Arabisë Saudite, përfshirë një ish-ndihmës të princit Mohammed bin Salman.

Vendimi i Departatmentit të Shtetit përfshin ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara edhe për anëtarët e familjes së ngushtë të këtyre 16 personave.

Në listën e publikuar të hënën janë emrat e Saud al-Qahtanit, ish-ndihmës i princit Mohammed, dhe Maher Abdulaziz Mutrebit, i cili ishte pjesë e ekipit me të cilin udhëtonte princi.

Khashoggi u vra në konsullatën e Arabisë Saudite në Stamboll në tetor të vitit të kaluar, duke shkaktuar reagime të ashpra të komunitetit ndërkombëtar. Para se të vritej, ai kishte publikuar shkrime kritikuese ndaj princit Mohammed në gazetën amerikane “The Washington Post”.

Përkrahja e Shtëpisë së Bardhë për Arabinë Saudite është bërë shkaktare e tensioneve mes qeverisë dhe Kongresit që nga vrasja e Khashoggit. Ligjvënësit e dy partive amerikane e kanë kritikuar presidentin Trump për mungesë të reagimit të fuqishëm ndaj Arabisë Saudite për këtë vrajse.

Më herët gjatë këtij muaji, Kongresi  e miratoi përfundimisht rezolutën për ndërprerje të ndihmave ushtarake të Shteteve të Bashkuara për Arabinë Saudite në luftën e Jemenit, duke e kundërshtuar ashpër politikën e jashtme të Trumpit për këtë çështje, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot)