Pse mbahet i fshehtë një nga përgjegjësit për ngjarjen e Rinasit?

  • 11 April 2019 - 17:45
Pse mbahet i fshehtë një nga përgjegjësit për ngjarjen e Rinasit?

Ngjarja e rëndë, e përsëritur, e grabitjes së miliona eurove në aeroportin “Nënë Tereza”, ka tronditur sigurinë e vendit. Shqipëria po merr në mënyrë të përsëritur goditje ta paparandaluara nga grupe kriminale, e krimi i organizuar, por përgjegjës ende nuk kemi.

Nga supergrabitja e fundit në aeroport, organet shtetërore janë hedhur “pupthi” për të hedhur akuzat e fajësimit tek koncensionari i patrullës dhe sigurisë brenda aeroportit, ICTS, ndërkohe që ky i fundit deklaron se bazuar në kontratën e lidhur me Autoritetin e Aviacionit Civil, ICTS nuk mban përgjegjësi për ndërhyrjen fizike por vetëm për njoftimin e policisë së shtetit, dhe rezulton se sipas deklaratave, këtë gjë e ka kryer.

Por cili është roli i Autoritetit të Aviacionit Civil, që po qëndron mjaft i heshtur në deklaratat për shtyp apo në lajmet e faqes së tij zyrtare? Sipas Kodit Ajror të Republikës së Shqipërisë, “Autoriteti i Aviacionit Civil, në vijim AAC, është ent publik, me vetëfinancim, në varësi të ministrit”.

Përsa i përket kushteve të sigurisë që duhet të kishte përmbushur aeroporti “Nënë Tereza”, në Kod parashikohet se “AAC-ja është autoriteti përgjegjës për sigurinë e aviacionit civil” dhe se “AAC-ja ndërmerr masat e nevojshme për parandalimin e ndërhyrjeve të paligjshme në sigurinë e aviacionit civil. Për këtë, ky autoritet:

a) përcakton dhe zbaton masat e duhura për parandalimin e akteve të ndërhyrjes së paligjshme në aviacionin civil;

b) harton dhe zbaton: i) programin kombëtar të sigurisë së aviacionit civil, i cili miratohet nga Këshilli i Ministrave;

ii) programin kombëtar të trajnimit për sigurinë e aviacionit civil, i cili miratohet me urdhër të përbashkët të ministrit që mbulon çështjet e transportit ajror dhe të ministrit që mbulon rendin publik.

iii) programin kombëtar të kontrollit të cilësisë për sigurinë e aviacionit civil, i cili miratohet nga ministri
Pra, sipas Kodit, përgjegjës për këtë ngjarje, ku ka një mungesë (të persëritur) të parandalimit të ndërhyrjes së paligjshme në Aviacionin Civil, është dukshëm AAC, ku drejtor ekzekutiv është Krislen Kerri. Por përse asnjë organ shtetëror nuk po e drejton gishtin ndaj z.Kerri?

Ndoshta sepse një gjë e tillë do të hapte “belara” edhe më të mëdha, e analiza më të imta do të zhvilloheshin se përse një person, qartazi jo profesionist, si z.Kerri është emëruar, si fillim, në një pozicion kaq të rëndësishëm. Ndoshta pyetjet do të ngriheshin edhe nga Bashkimin Europian, lidhur me progresin që ka realizuar Shqipëria për sa i përket 5 prioriteteve kyçe për hapjen e negociatave, veçanërisht, ai i krijimit të një administrate profesioniste dhe të depolitizuar.

(Kosova Sot)