Paralajmërimi për Kosovën: Vetëm kështu ndalet Thaçi, ja zgjidhja

  • 16 April 2019 - 13:31
Paralajmërimi për Kosovën: Vetëm kështu ndalet Thaçi, ja zgjidhja

Në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur ta votojë rezolutën nga debati parlamentar lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirjen e “shkëmbimit të territoreve” apo “korrigjim të kufijve” në dialogun me Serbinë. 

Në seancën e djeshme parlamentare është vënë në votim propozim rezoluta lidhur me angazhimet e presidentit të Kosovës për përfshirje në shkëmbimin e territoreve, apo korrigjimin e kufijve me Serbinë.

Por, në mungesë të kuorumit, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të votojë këtë rezolutë që ia ndalon Thaçit shkëmbimin e territoreve me Serbinë.

Lidhur me këtë, analisti Faton Abdullahu për gazetën “Kosova Sot” është shprehur se ndikimet e presidentit të Kosovës po tejkalojnë kompetencat që ai i ka për detyrë.

Image
Faton Abdullahu

“Presidenti aktual i Kosovës është njeriu më me ndikim në zhvillimet politike në vend tash sa kohë. Ndikimi i tij vazhdimisht tejkalon kompetencat që ai i ka si president. Shumë ndikime në zhvillime të ndryshme në vend, ai i bënë në mënyrë klandestine, sepse ligji ja ndalon ato involvime. I tillë është edhe propozimi për korigjimin e kufirit i cili në të vërtetë është propozim klandestin dhe antikushtetues”, shtoi Abdullahu më tutje.

Ai e cilëson gjendjen e Kosovës si gjendje inerte e cila i konvenon koalicionit PAN për të qëndruar në qeveri.

“Rrezikshmëria e këtij propozimi është justifikim i mjaftueshëm që të shkohet në zgjedhje të parakohshme me qëllim që të mbrohemi nga ky projekt. Këtë projekt të presidentit nuk mund ta ndalim sikundër mendojnë disa me taksën aktuale kundër Serbisë. Jo, këto dy qasje vetëm e forcojnë njëra tjetrën. Kështu kemi një gjendje inerte por që i konvenon koalicionit PAN për të vazhduar mbetjen në pushtet”, është shprehur ai.

Abdullahu si zgjidhje kryesore po për këtë gjë i sheh zgjedhjet, përderisa kjo politikë e dëmshme po e dëmton vendin. 

“Kjo gjendje duhet të ndryshoj, sa më shpejt aq më mirë. Këtë zgjidhje nuk po mund ta ofroj ky koalicion i cili ka mosmarrëveshje deri në përçarje të cilat po prodhojnë politika të dëmshme për vendin tonë. Prandaj zgjidhja e domosdoshme mbetet tek zgjedhjet”, ka thënë analisti politik, Faton Abdullahu për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)