Zeqa: Titujt e dyshimtë e ulën imazhin e shtetit shqiptar

  • 18 April 2019 - 19:26
Zeqa: Titujt e dyshimtë e ulën imazhin e shtetit shqiptar

Analisti Florim Zeqa thekson se pas "Samitit të Diasporës" u bë ndarja me bollëk e titujve të "nderit" nga Republika e Shqipërisë, saqë tani është bukur e vështirë të dallohen ambasadorët dhe konsujt e vërtetë të kombit shqiptar.

"Dhënia e dekoratave dhe ndarja e titujve pa asnjë kriter nga Republika e Shqipërisë për figurat e dyshimta politike apo biznesmenët e inkriminuar e ka ulur në pikën zero imazhin e shtetit shqiptar. Sikurse zgjedhja e z. Genc Cakaj në postin e ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, ashtu edhe zgjedhja e "konsujve të nderit" ka të ngjarë të jetë bërë me direktiva të Beogradit zyrtar. Ashtu siç ndarja e titujve bëhet edhe revokimi i tyre nga ministri servil i shtetit shqiptar, i cili e revokon një titull me rekomandim, por jo edhe tjerët pa meritë si ai!", u shpreh ai për "Kosova Sot".  

"Vlerësimi vetëm i Rrahim Pacollit si i padenjë nga Gent Cakaj për të bartur titullin e Konsullit të Nderit të Shqipërisë, por jo edhe biznesmenit nga Peja, Blerim Devolli, tregon qartë për interferim të jashtëm në politikën e shtetit shqiptar. Kështu biznesmenët si konsuj nderi të Shqipërisë, i shfrytëzojnë privilegjet nga të gjitha anët, për të cilat siç duket ua kanë lagur mirë fytin pushtetarëve në Tiranë, Prishtinë apo Beograd! "Konsujt e Nderit" me postet e blera me para shëtisin me targa diplomatike dhe me të tjera privilegje të konsujve të nderit, duke i krijuar vetes imunitet të blerë me para nga pushtetarët shqiptarë. Ministri i Jashtëm i Shqipërisë pa integritet politik dhe pa kredibilitet qytetar, Gent Cakaj, është vetëm zbatues i urdhrave të padronëve të tyre në Tiranë e në Prishtinë, i cili më së paku e kupton rëndësinë e titullit "Konsull Nderi", e lërë më të përzgjedhë apo refuzojë dikë për titullin në fjalë", ka vlerësuar analisti Zeqa.

(Kosova Sot)