Çdo gjë rreth vrasjes së trefishtë në Dardani, çfarë dimë deri më tani

  • 22 April 2019 - 15:46
Çdo gjë rreth vrasjes së trefishtë në Dardani, çfarë dimë deri më tani

Një konflikt familjar ku mbetën të vdekur tre anëtarë të një familjeje, pak orë më parë në lagjen “Dardania”, ka tronditur kryeqytetin. H.K, siç mëson media tash e një kohë kishte probleme të rënda mendore, ndërkaq sot ai vrau me armë zjarri, gruan e tij, gruan e djalit e më pas vrau edhe veten. Krejt ngjarja tragjike ndodhi para vajzës dy vjeçare të djalit të tij. H.K kishte tentuar që ta vriste gruan edhe një vit më parë.

Dy orë më parë, një konflikt familjar në familjen e H.K përfundoi me tre persona të vrarë. Ishte i zoti i shtëpisë, që sipas informacioneve të para, tash e një kohë kishte probleme të rënda mendore vrau me armë zjarri gruan e tij, gruan e djalit, ndërkaq në fund vrau edhe veten.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:00, ndërkaq, rastin e kanë konfirmuar për median në Policinë e Kosovës.

“Sot rreth orës 13:20, policia ka marrë informacionin për një vdekje te dyshimte në rrugën “Bill Klinton” në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore. Nga informacionet e para në vendin e ngjarjes dyshohet se nga arma e zjarrit janë vrare tre persona”, kanë bërë të ditur nga Policia.

“Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor ne vendngjarje. Aktualisht njësitet policore janë duke punuar ne sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me rastin”, ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë në rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

Fqinjët në anën tjetër kanë bërë të ditur për median se personi që kreu krimin kishte tash e disa vite probleme mendore.

Madje, i njëjti ishte i njohur edhe për Policinë, pasi që një vit më parë kishte tentuar ta vriste gruan e tij me armë zjarri. Arma iu kishte konfiskuar nga policia, mirëpo, ai pak kohë më vonë kishte blerë një armë tjetër, me të cilën dyshohet se sot e kreu krimin.

Krejt ngjarja tragjike ka ndodhur para syve të vajzës 2 vjeçare të njërës nga viktimat, derisa ajo është nxjerrë nga banesa ku ndodhi vrasja dy orë më vonë.

Rastin e kanë konfirmuar edhe në prokurorinë Themelore në Prishtinë.

Kryeprokurori Imer Beka i ka thënë medias se prokurori ka dalë në vend të ngjarjes e momentalisht është ende herët që të flitet për motivet që mund të kenë quar te ngjarja tragjike.

Hetuesia është duke qëndruar në banesën ku ndodhi krimi.

Media ka raportuar se në vend të ngjarjes ka dalë edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti.

(Kosova Sot)