Shkodra: Sektori privat e mban gjallë një aparat shtetëror me kosto të lartë

  • 24 April 2019 - 12:13
Shkodra: Sektori privat e mban gjallë një aparat shtetëror me kosto të lartë

“Nuk e di mirë çka është bërë me sektorin privat. A kanë kontratë të punës, për të cilën mjaft është folur, në të cilën do të duhej të parashihej orari i punës, pushimi javor, vjetor; sigurimi shëndetësor, sigurimi social. Këtu do të mund të hynte edhe paga e tyre mujore, them për punëtorët në sektorin privat.

Ndryshe, e kemi një shfrytëzim shumë të egër të kësaj klase në rendin e sistemit demokrat te ne. Mirëpo, ajo që do të duhej të brengosë masën e gjerë të qytetarëve është se si ky sektor e mban gjallë një aparat shtetëror me kosto të lartë, duke filluar nga pagat e tyre mujore e benificionet tjera, të cilët vetë i ngritin pagat dhe shërbimet tjera, shkurt me shpenzime të mëdha, por pa ndonjë llogaridhënie para opinionit të gjerë. Duke mbushur administratën shtetërore me persona familjarë, të klanit dhe me militantë partiakë, që është një ngarkesë e madhe e buxhetit, madje shumë sish si të panevojshëm.

Dhe, krejt këtë barrë të madhe e mban mbi kurriz sektori privat, derisa ky aparat shtetëror duket jo aq funksional për t'ua kthyer në kundërshpërblim qytetarëve”, theksoi analisti Shefik Shkodra për gazetën “Kosova Sot”.

(Kosova Sot)