Shpërthehet bomba e Luftës së Dytë Botërore, peshonte 250 kilogramë

  • 24 April 2019 - 15:46
Shpërthehet bomba e Luftës së Dytë Botërore, peshonte 250 kilogramë

Një bombë që peshonte 250 kilogramë dhe që i përkiste periudhës së Luftës së Dytë Botërore është shpërthyer në mënyrë të kontrolluar në qytetin gjerman të Regensburgut. Ajo u gjet gjatë punimeve që po kryheshin nga një kompani e ndërtimtarisë.

Ekspertët vlerësuan se bomba e gjetur nuk mund të çaktizohet apo të transportohet në ndonjë vend tjetër. Prandaj, rreth 4500 njerëz u detyruan të zhvendosen nga shtëpitë dhe banesat e tyre në largësi minimale prej 1500 metrash.

Pavarësisht se shpërthimi u krye në mënyrë të kontrolluar nga autoritetet e sigurisë, është raportuar se bomba i ka dëmtuar ndërtesat që ndodheshin afër saj, me ç’rast dritaret e tyre janë thyer.

Gjetja e bombave të pashpërthyera, të cilat kanë mbetur nga Lufta e Dytë Botërore, nuk është gjë e rrallë në Gjermani, e cila në atë periudhë ishte bombarduar në masë të madhe nga Britania e Madhe dhe më vonë nga Shtetet e Bashkuara.

Për shpërthimin e bombës autoritetet e përdorën një robot. Shpërthimi u krye në orën pesë të mëngjesit dhe u dëgjua disa kilometra larg.

Një bombë e prodhuar në Shtetet e Bashkuara u gjet në Gjermani në janar të këtij viti. Rreth 2000 njerëz ishin detyruar të zhvendosen për shkak të rrezikut nga shpërthimi, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)