Papa dhuron 500 mijë dollarë për imigrantët e bllokuar në Meksikë

  • 28 April 2019 - 16:44
Papa dhuron 500 mijë dollarë për imigrantët e bllokuar në Meksikë

Vatikani ka njoftuar se Papa Françesku i ka dhuruar 500 mijë dollarë për t’i ndihmuar imigrantët e bllokuar në Meksikë. Ata po përpiqen ta kalojnë kufirin dhe të shkojnë në Shtetet e Bashkuara.

Këto të holla janë dhuruar nga fondi i kishës katolike “Peter’s Pence”, të cilat mblidhen nga donacionet në mbarë botën.

Sipas një deklarate të mëhershme, ndihmat jetike për imigrantët janë duke u zvogëluar dhe përcjellja e këtij problemi nga mediet botërore gjithashtu ka rënë.

Papa e ka kritikuar më parë planin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për ndërtimin e murit përgjatë kufirit me Meksikën për të mos e lejuar hyrjen e imigrantëve nga Amerika Latine.

Në anën tjetër, Shtetet e Bashkuara i kanë bërë presion qeverisë meksikane që ta ndalojë karvanin e imigrantëve që vijnë nga shtetet tjera dhe të mos i lejojë ata të udhëtojnë drejt veriut të kontinentit.

“Në vitin 2018, gjashtë karvanë imigrantësh me 75 mijë njerëz kanë hyrë në Meksikë, ndërsa pritet që të arrijnë edhe karvanë të tjerë”, thuhet në njoftimin e kësaj kishe.

Imigrantët thonë se ata po ikin nga vendet e tyre për shkak të përndjekjeve, dhunës dhe varfërisë, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot)