Hesht Qeveria, ja fenomeni që rrezikon ta zbrazë Kosovën

  • 04 May 2019 - 12:03
Hesht Qeveria, ja fenomeni që rrezikon ta zbrazë Kosovën

Përderisa javë më parë punësimet politike, familjare e nepotike në të gjitha institucionet e shtetit të Kosovës ishin bërë top temë e raportimit në media, drejtësia kosovare vazhdon të heshtë rreth hetimit dhe ndjekjes së këtyre rasteve. E sipas analistëve politikë këto punësime po vazhdojnë edhe tani, ku në institucione të ndryshime vazhdon rehatimi i militantëve partiakë dhe familjarëve të pushtetarëve kosovar.

“Punësimet politike familjare nëpër ndërmarrjet publike, në Ministri dhe PTK-në që kanë shpërthyer nëpër mediumet elektronike dhe të shkruara,tani po heshtën nga prokuroria që nuk po heton punësimet e militantëve të partive në pushtet në PTK dhe me kontratat e dyshimta, madje edhe me Devollët, që kështu po vazhdon rehatimi i militantëve partiakë dhe familjarëve nëpër institucione të ndryshme në Kosovë, e në anën tjetër, nga humbja e perspektivës po vazhdon ikja e kosovarëve nga Kosova”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”.

Për më tepër, Guraziu thotë se është krejt e pa kuptimtë heshtja e Qeverisë përballë këtij fenomeni që rrezikon ta zbrazë Kosovën.

“Mendoj se qeveria aktuale nuk duhet të flejë rehat deri sa militantët e të partive në pushtet kanë pushtuar të gjitha ministrit dhe PTK-në me punësimet familjare dhe kjo nuk do koment. Qeveria aktuale më brutale se tjerat për keqpërdorimet në ministritë e ndryshme dhe në PTK, e keqja duhet të ndalet prej së trashi. Mirëpo jo vetëm këta të fundit po e bëjnë këtë. Këta po e bëjnë më haptas, por ata më herët e kanë bërë të njëjtën, por më me kujdes. E kanë mbi punësuar vazhdimisht e tash jemi në fazën kur para se ta lëshojnë këmbët, këta të fundit janë më brutalë se të parët. Ky fakt apo kjo trashje e të keqes do të jetë edhe momenti i kthesës, por se kur nuk i dihet”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)