Skandaloze: Prokuroria Speciale e frikësuar nga KAPOT e krimit, i delegojnë lëndët e PTK-së në Themelore!

  • 08 May 2019 - 15:02
Skandaloze: Prokuroria Speciale e frikësuar nga KAPOT e krimit, i delegojnë lëndët e PTK-së në Themelore!

Bërja publike e lajmit, sipas të cilit Prokuroria Speciale “heq dorë” nga hetimi i Telekomit, dhe të njëjtin rast e delegon në Prokurorinë Themelore, ka ngjallur edhe reagimet e para tek analistët dhe njohësit e fushës së të drejtës, duke shtruar pyetjen se për çfarë prokurorie speciale mundë të flasim kur ajo refuzon të hap rastet e krimit të organizuar, pikërisht në folenë më të madhe të krimit të organizuar, pra në PTK.

Analisti Bislim Aliu, në reagimin e tij veç tjerash shtron edhe pyetjen se për çfarë pune duhet të paguhen prokurorët e Speciales derisa nuk kanë guximin të merren me këtë rast super skandaloz.

“Me të vërtetë është për tu habitur, befasuar, se si Prokuroria Speciale "heq dorë" nga hetimi i Telekomit, e cila, siç bëhet e ditur, e delegon rastin në Prokurorinë Themelore! Tani me të vërtetë të gjithë duhet të pyesim, a thua, për çfarë Prokurorie Speciale, mundë të flasim, kur ajo refuzon të hapë rastet e krimit të organizuar, krim shumë serioz nga i cili varet fati i njërës nga ndërmarrjet më profitabile publike,, pra pikërisht në folenë e krimit të organizuar që është duke u bërë dhe është bërë në PTK!

Këta prokurorë paguhen nga taksat tona prandaj ne duhet të pyesim se a thua, për çka paguhen prokurorët special, kur ata mbyllin sytë dhe nuk e kanë guximin ti hapin rastet serioze kriminale, kur dihet se edhe kontrata me Z-Mobile, me Blerim e Shkëlqim Devollin, kur është firmosur, është kryer krimi i këtij qindvjeçari”, tha Bislim Aliu për Kosova Sot Online.

Sipas analistit Aliu, është e pa falshme ikja nga përgjegjësia para një mega krimi që ka ndodhur dhe dëmit që ka pasuar si shkak i atij krimi. “Nuk duhet të heshtet ajo, nuk duhet të iket nga përgjegjësia në rastin ku dëmi dhe zhvatja ka kaluar 400 milion euro, pastaj kontrata ku vetëm për qira PTK-ja paguan mbi 6 milion euro në muaj, pra 72 milion euro në vit! Pastaj vetëm për sponzorizime përfshirë edhe mediume inekzistente, janë dhënë 38 milion euro, duke bërë kështu shpëlarje parash e shumë krime të tjera”, theksoi Aliu për "Kosova Sot Online".

Ai thotë se në provim po bije edhe komisioni hetimor i cili nuk po merr kurajën për të zbardhur të gjitha dokumentacionet, kontratat e dëmshme që po e varrosin këtë ndërmarrje. “Dhe, a thua, pse nuk bëhen publike nga Komisioni Hetimor në Kuvend, të gjitha kontratat dhe mediet ku kanë përfunduar këto dhjetëra e qindra miliona euro! Dhe duhet përsëri të kthehemi te Prokuroria Speciale, pse si heton prokuroria speciale këto krime por ikë nga ballafaqimi me to duke i kthyer në prokurorinë themelore te prokurorët fillestar!

Unë mendoj se kjo është se prokuroria speciale, nuk dëshiron t'i fus hundët në Telekom, meqë e din fare mirë, se kush janë kapot e krimit në këtë ndërmarrje, dhe që adresa kryesore qon te pushtetarët e niveleve të larta, me të cilët prokuroria speciale, nuk dëshiron t'i prish punët, pasi që ata janë servil të tyre”, tha Aliu për “Kosova Sot Online”.

( Kosova Sot Online )