Miliona për camçakëza – pse e duan kosovarët këtë produkt
Banorët e vendit po del të jenë fort meraklinjë të çamçakëzave. Madje, për blerjen e tyre shpenzohen me miliona euro çdo vit. Importi i tyre bëhet nga Kina, Kolumbia, Zvicra e Gjermania. Ndërkohë, vetëm për blerjen e çamçakëzave, karameleve dhe ëmbëlsirave në përgjithësi, janë shpenzuar rreth 30 milionë euro në tri vitet e fundit.
Shumicën e ditës, kosovarët e kalojnë duke përtypur çamçakëza. Madje, përtypja e tyre disave iu është kthyer edhe në shprehi. Vetëm që t’i kenë në xhepat e tyre, ata shpenzojnë me miliona euro për çdo vit.
E se kosovarët i preferojnë shumë çamçakëzat, kjo dëshmohet edhe me statistikat për importin e tyre.
Sipas të dhënave që ka siguruar media nga Dogana e Kosovës, vetëm në tri vitet e fundit janë shpenzuar më shumë se 3 milionë euro për blerjen e çamçakëzave.
E vendet prej të cilave importohen këto produkte janë Brazili, Zvicra, Kina, Kolumbia, Çekia, Gjermania, Franca dhe Mbretëria e Bashkuar. Por, jo vetëm.
Vendi ka importuar çamçakëza edhe nga Greqia, Hungaria, Italia, Maqedonia, Polonia, Turqia, Norvegjia dhe Bullgaria.
Statistikat e Doganës
Ndërkohë, goxha para po del të jenë shpenzuar edhe për blerjen e karameleve.
Mbi 1 milionë e 700 mijë euro është vlera e importit të karameleve dhe ëmbëlsirave të tjera të ngjashme për tri vitet e fundit, derisa rreth 600 mijë euro të tjera janë harxhuar vetëm për importin e çokollatës së bardhë.
Por, përveç çamçakëzave dhe karamelave, me miliona euro janë shpenzuar edhe për ëmbëlsira.
Për importin e gjithë këtyre produkteve vetëm këtë vit janë shpenzuar rreth 3 milionë euro. Ndërkohë, shuma e parave të cilat janë derdhur vetëm për të blerë këto produkte në tri vitet e fundit shkon në rreth 30 milionë euro.
(Kosova Sot Online)