Shpërthen Zeqa: Amerika të fus në "Listë të zezë" të gjithë pushtetarët e inkriminuar

  • 20 May 2019 - 07:41
Shpërthen Zeqa: Amerika të fus në 

Lidhur me reagimin e  fundit nga ambasada e SHBA-ve në Prishtinë, e cila  përmes një deklarate është shprehur shumë e shqetësuar,  pse asnjë zyrtar i Kosovës nuk u shpallë përgjegjës për skandalin “Pronto”, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, Apex, viza italiane, dhe në raste të tjera të ngjashme, duke e kritikuar kështu ashpër sistemin e drejtësisë në Kosovë që nuk po e bën askënd përgjegjës për krimin e organizuar që ka thënë se është qartësisht prezent në nivel të të gjitha institucioneve,  analisti politik  Florim Zeqa,  ka deklaruar se pas këtij reagimi është e rrugës të themi se ne si Kosovë fare nuk kemi drejtësi aktive sepse është e kapur nga politika e inkriminuar.  

Image
Florim Zeqa

“Mbase është e padrejtë të thuhet se drejtësia kosovare ka rënë në gjumë të thellë, ajo është e paralizuar totalisht nga ndikimi i mafio-politikanëve në pushtet, prandaj edhe pse sheh e dëgjon për krimin e organizuar dhe korrupsionin endemik nuk guxon të flasë. Sesa është i kapur dhe i fashitur sistemi i drejtësisë nga politika e tregon rasti i prokurorit Elez Blakaj, i cili pasi foli hapur për abuzimet me listat e veteranëve u detyrua të braktisë Kosovën brenda natës”, tha Analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Florim Zeqës, shqetësimet e ambasadës së  SHBA-ve për skandalin “Pronto”, Pronto, ikja nga burgu i Dubravës, Toka, Apex, viza italiane, dhe për raste të tjera të ngjashme janë të arsyeshme, por jo të mjaftueshme, por duhet pasur edhe veprime akoma më konkrete, duke publikuar edhe  listën e zezë.

 

“E them këtë ngase, nga një shtet mik siç është Amerika presim diç më tepër dhe përtej deklaratave politike për media. Kritikat e ambasadës amerikane për sistemin e drejtësisë në Kosovë, që nuk po e bën askënd përgjegjës për krimin e organizuar dhe korrupsionin nuk janë diçka e re. Presim që ambasada e SHBA-së në Kosovë të ndërmerr veprime konkrete për ndalimin e lëvizjes së lirë të politikanëve të korruptuar dhe tej inkriminuar ngjashëm si kishte vepruar në vitet e para të pas luftës, me krijimin e "Listës së zezë" me emrat e të gjithë politikanëve të profilit të lartë, që ngarkohen me vepra të rënda korruptive dhe kriminale. Pra, të bëj publik emrat e zyrtarëve të lartë shtetërorë që janë të përfshirë në raste e mëdha të korrupsionit dhe krimit të organizuar, të cilëve jo vetëm të mos u lëshohen viza për udhëtim në SHBA, por të ndërpres të gjitha kontaktet diplomatike me ta”, tha  Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Përtej kësaj, sipas analistit Zeqa,  do të vetëdijësoheshin edhe gjyqtarët e prokurorët që ia duan të mirën vendit, për një angazhim të mirëfilltë në luftimin e krimit dhe korrupsionit në vendin tonë. 

“Pra nuk mjafton që vizat t`iu ndalohen vetëm një grushti të vogël njerëzish, por duhet t'iu ndalohet lëvizja e lirë të gjithë pushtetarëve të Kosovës, si atyre të nivelit qendror ashtu edhe kryetarëve komunalë, por edhe prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilët po shërbejnë si kukulla interesave të mafies, nëntokës kriminale dhe pushtetarëve të inkriminuar. Vetëm izolimi i klasës së inkriminuar politike në Kosovës, do të krijonte premisat për liberalizim të vizave dhe mirëqenie për qytetarët."Lista e zezë" e politikanëve të inkrimunar, do të hapte në faqe të bardhë për qytetarët e vendit dhe një kapitull të ri të shtet ndërtimit të Kosovës”,theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )