Vjen paralajmërimi: Nëse Kuvendi dështon të konstituohet ekzistojnë tre mundësi për zgjidhjen e krizës

Vjen paralajmërimi: Nëse Kuvendi dështon të konstituohet ekzistojnë tre mundësi për zgjidhjen e krizës
Vjen paralajmërimi: Nëse Kuvendi dështon të konstituohet ekzistojnë tre mundësi për zgjidhjen e krizës

Qani Shabani

  • 04 July 2025 - 07:30

Shkruan: ANALISTI-Qani Shabani

Me Aktgjykimin KO 47/2025, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e mbajtur më 15 prill 2025, ka dështuar të përmbyllet me sukses, pasi nuk është zgjedhur Kryetari i Kuvendit. Sipas Gjykatës, zgjedhja e Kryetarit është kusht themelor për konstituimin e plotë të Kuvendit, sepse vetëm pas zgjedhjes së tij ky institucion mund të ushtrojë përgjegjësitë e veta legjislative dhe mbikëqyrëse.

 

-Për këtë arsye, Gjykata ka urdhëruar që seanca konstituive të përsëritet brenda një afati prej 30 ditësh, duke theksuar se funksionimi i institucioneve kushtetuese është thelbësor për rendin demokratik dhe stabilitetin e vendit.

Një element i rëndësishëm i këtij aktgjykimi është se Gjykata ka vendosur që afati 30-ditor të llogaritet nga dita e hyrjes në fuqi të aktgjykimit, edhe pse sipas nenit 66 të Kushtetutës, ky afat lidhet me datën e certifikimit të rezultateve zgjedhore. Ky interpretim paraqet një risi në praktikën kushtetuese të vendit, pasi në thelb ndryshon fillimin e afatit kushtetues, me synimin për të krijuar kohë shtesë për zhbllokimin e procesit.

Megjithatë, aktgjykimi nuk jep zgjidhje konkrete nëse Kuvendi nuk konstituohet as pas afatit të dytë 30-ditor. Në këtë fazë, roli i Presidentes shfaqet si kyç për të garantuar funksionalitetin institucional dhe stabilitetin kushtetues.

Nëse Kuvendi dështon të konstituohet edhe pas afatit, ekzistojnë tre mundësi reale për zgjidhjen e krizës:

Dialogu për rifillimin e konstituimit brenda afatit ligjor prej një muaji sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese.

Parashtrimi i një ankese të re në Gjykatën Kushtetuese, sipas nenit 116 të Kushtetutës, për interpretim shtesë ose udhëzime mbi hapat e mëtejshëm.

Dorëzimi i mandateve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Krizën e konsiderojmë më tepër politike se juridike, dhe zhbllokimi i situatës varet kryesisht nga vullneti i forcave politike për të arritur marrëveshje mbi zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. Në të kundërtën, vendi mund të përballet me një ngërç institucional që kërcënon të paralizojë funksionimin demokratik të institucioneve.

Në përfundim, edhe pse Aktgjykimi KO 47/2025 krijon një bazë ligjore për rifillimin e procesit konstituiv, mbetet ende i hapur rreziku që kriza të thellohet, nëse nuk sigurohet mazhoranca e nevojshme ose nuk gjendet një zgjidhje politike që shmang një vakuum institucional me pasoja serioze për stabilitetin e Republikës së Kosovës.

Shkrimet në këtë rubrikë nuk shprehin qëndrimet e gazetës "Kosova Sot Online".