Mustafa: Unë nuk i kam dhënë këshilla Thaçit, opozita nuk këshillon

  • 04 June 2019 - 13:45
Mustafa: Unë nuk i kam dhënë këshilla Thaçit, opozita nuk këshillon

Para disa ditësh, kryetari i LDK’së, Isa Mustafa, kishte shkruar një status në Facebook ku kishte thënë se sulmet ndaj Presidentit Hashim Thaçi dhe ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berishës, janë të panevojshme sepse nuk i sheh si bashkëpunëtorë të Serbisë. Pas këtij shkrimi kishte reaguar Thaçi i cili kishte thënë se e falënderon Mustafën për këshillat e dhëna

Mustafa tha të hënën se nuk e ka këshilluar Thaçin, sepse sipas tij opozita nuk këshillon.

“Unë nuk i kam dhënë këshilla presidentit Thaçi, sepse opozita nuk këshillon. Por ia kam shfaqur mospajtimin tim të thellë për korrigjimin e kufijve, ndryshe thënë këmbimin e territorit, përkatësisht vënien në tryezë të bisedimeve të Deklaratës së Pavarësisë”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq rreth idesë së Thaçit për bashkim të Kosovës me Shqipërinë, Mustafa ka thënë se kjo ide është si pasojë e konfuzionit politik të Thaçit. 

“Sa i përket bashkimit me Shqipërinë, presidenti do të duhej që së pari t’i propozojë Kuvendit ndryshimin e nenit një dhe dy të Kushtetutës, sepse përderisa ato janë në fuqi ai e shkel Kushtetutën me një qëndrim të tillë. Ndryshe kjo ide e tij, konsideroj se është pasojë e konfuzionit politik të tij apo të rrethit të tij. Që e shoh të rrezikshëm për vendin”, ka thënë Mustafa.

(Kosova Sot Online)