Kosovarët “fermerë” të kanabisit, policia arreston katër persona

  • 14 June 2019 - 10:38
Kosovarët “fermerë” të kanabisit, policia arreston katër persona

Vetëm gjatë raportit të fundit 24 orësh të Policisë së Kosovës, janë konfirmuar 4 raste që kanë të bëjnë me implikimin e disa personave në kultivim dhe posedim të substancave narkotike. Gjatë 24 orëve të fundit janë gjetur mbi 51 bimë narkotike që kultivoheshin të llojit kanabis sativa.

Në mesditën e ditës së djeshme, në sheshin “Ibrahim Rugova” në Prishtinë, është arrestuar i dyshuari pasi që të njëjtit i është gjetur një vazo e mbjellë me bimën kanabis. E në lokacionin e tij ku policia ka kontrolluar, janë gjetur 51 (pesëdhjetë e një) copë bimë kanabis që po i kultivonte i dyshuari. Sipas Policisë së Kosovës, i dyshuari kishte të meta mendore i cili posedonte edhe dokumente nga mjeku. Më vendim të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt dhe rekomandon për kontrollim mjekësor.

Gjithashtu edhe në Kaçanik, policia ka raportuar për një arrestim të një të dyshuari tjetër pasi që gjatë kontrollit në lokacionin e tij, janë gjetur dhe konfiskuar katër bimë narkotike të llojit të kabanis sativa të mbjella në vazo. I dyshuari është dërguar në mbajtje pas vendimit të prokurorit.

Ndërsa në qytetin e Prizrenit, për posedim të substancave narkotike është arrestuar një femër. Njësia policore gjatë kontrollimit të shtëpisë së saj, ka gjetur dhe ka konfiskuar 247,11 gram substancë narkotike të llojit marihuanë, gjithashtu asaj i është gjetur edhe një peshore elektronike. Njësia policore është në kërkim edhe të një të dyshuari tjetër, mashkull. Me vendim të prokurorit, e dyshuara është dërguar në mbajtje.

Poashtu në Vërmicë, është arrestuar një tjetër i dyshuar pasi që gjatë kontrollit nga Policia e Kosovës është gjetur dhe konfiskuar 1.27 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Pas vendimit të prokurorit, i dyshuari është liruar me procedurë të rregullt.

(Kosova Sot Online)