Deputeti gjerman: Në Shqipëri po bëhet luftë për pushtet

  • 15 June 2019 - 09:22
Deputeti gjerman: Në Shqipëri po bëhet luftë për pushtet

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Gjerman, Manuel Sarrazin, (Të Gjelbrit) mendon se Shqipëria e meriton çeljen e negociatave. Ai flet për përgjimet e publikuara nga Bild si dhe për përfshirjen e Vangjush Dakos në komunikme me botën e krimit.

Zoti Sarrazin, kancelarja gjermane Angela Merkel raportoi në Komisionin për Çështje të BE-së dhe, sipas një informacioni në Sueddeutsche Zeitung, ajo tha se vendimi për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinlë do të shtyhet për në shtator/tetor. Si e argumentoi kancelarja këtë shtyrje?

Manuel Sarrazin: Ajo thjesht e tha këtë duke informuar për planin kohor dhe tha se beson se votimi do të bëhet në shtator/tetor, sepse ekziston ende nevojë koordinimi brenda grupit të saj parlamentar. Por ajo vetë nuk u shpreh as pozitivisht e as negativisht dhe nuk tha se cili do të jetë rezultati i këtij procesi votimi.

Pikërisht ato ditë gazeta “Bild” publikoi audio-përgjimet për shitblerjen e votave në zgjedhjet e 2017-ës, a mendoni se ky publikim do të ndikojë negativisht në vendimmarrjen për çeljen e negociatave?

Jo,nuk besoj se luan ndonjë rol te deputetët e informuar. Këto regjistrime nuk janë të reja. Ky debat ka kohë që është shfaqur në tablonë e politikës së brendshme të Shqipërisë. Natyrisht që këto akuza kishin mbërritur deri te ne. Por unë deri tani nuk kam qenë në gjendje të verifikoj, se a përputhen ato me realitetin. Veç kësaj, unë mendoj se raporti në gazetën “Bild” nuk të jep përshtypjen se është marrë si duhet me verifikimin e të dhënave. Gjithashtu unë u çudita shumë se përse pikërisht në këtë moment kur do të merren vendimet në qeverinë federale dhe në parlamentin gjerman, gazeta “Bild” shkon e boton këtë raportim kaq të njëanshëm. Dhe kjo të lë përshtypjen se ka patur një funksion politik. Kjo pyetje është shtruar edhe në Shqipëri, por askush nuk e vë në dyshim që përgjimet janë të vërteta, sepse ato vijnë nga prokuroria. 

Pyetja që shtrohet këtu është sesa i njëkuptimtë është konteksti, në të cilin janë vendosur ato. Unë nuk e shoh të njëkuptimtë. Por natyrisht që ne i marrim seriozisht akuzat dhe jemi të mendimit se pyetjet se a ka pasur blerje votash duhen sqaruar dhe këtë ua themi edhe partnerëve tanë në qeverinë shqiptare. Por përfundimi në të cilin arrin opozita shqiptare, sipas mendimit tim, nuk është aq i padiskutueshëm, së paku, nuk është provuar ende. Por nuk është detyra ime si deputet i parlamentit federal gjerman që ta konstatoj këtë. Kjo është detyrë e organeve shqiptare.

Por organet shqiptare, pra, prokuroria kanë qenë dy vjet në dijeni të këtyre audio-përgjimeve, dhe shumë vonë reagoi e megjithatë po punon me hapa tepër të ngadaltë. Edhe ministri i Brendshëm i Shqipërisë tha në një intervistë me DW se ai nuk ka ndikim mbi prokurorinë. Si i bëhet atëherë, kur prokuroria i vonon hetimet?

(Kosova Sot Online )