Grushte aktivistëve, vjen paralajmërimi: Ja pasojat që do i bartë PDK-ja

  • 19 June 2019 - 13:41
Grushte aktivistëve, vjen paralajmërimi: Ja pasojat që do i bartë PDK-ja

“Në departamentet e BE-së të cilat përcjellin zhvillimet në Kosovë, kjo do të regjistrohet si sulm i një partie politike ndaj një proteste të qetë të Shoqërisë Civile. Kur dihet se cili ishte qëllimi i protestës, kjo çështje do të kthehet nga brengosëse në alarmante”, tha analisti Faton Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Analisti politik, Faton Abdullahu, duke komentuar sulmin brutal të punëtorëve të sigurimit të PDK-së ditë më parë në një protestë të shoqërisë civile, thekson se në raportet monitoruese të mekanizmave të BE-së për Kosovën, ky incident do të shënohet si një njollë serioze kundër këtij subjekti politik. 

Image
Faton Abdullahu

“Në departamentet e BE-së të cilat përcjellin zhvillimet në Kosovë, kjo do të regjistrohet si sulm i një partie politike ndaj një proteste të qetë të Shoqërisë Civile. Kur dihet se cili ishte qëllimi i protestës, kjo çështje do të kthehet nga brengosëse në alarmante”, tha analisti Faton Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Si do që të jetë, Abdullahu thotë se ky veprim i sigurimcave të PDK-së i lë njollë shtetit dhe institucioneve të Kosovës, për më tepër kur kemi të bëjmë ne një parti në pushtet.

“Për më keq, kjo do të thotë se dëmi i shkaktuar nuk do të mund të lokalizohet vetëm tek një parti politike, por e keqja do të prodhoj dëme larg më të gjëra, sidomos në rrugëtimin tonë për në BE. Krejt kjo të brengos si qytetar kur ta mendosh se një parti politike ka ende atë mendësi aktive e cila është e bindur se mund të sulmoj fizikisht një protestë për ta ndalur at”, tha Abdullahu për “Kosova Sot Online”, duke u solidarizuar me shoqërinë civile në kundërshtimin e ligjit të degraduar për financimin e partive politike. 

“Është mirë që shoqëria civile të mos e lë me kaq këtë aktivitet të sajën. Është mirë ta shtyj tutje me konsekuencë këtë kauzë sepse shumë defekte në shoqërinë tonë fillojnë edhe nga mënyra se si financohen partitë politike, si ato nuk janë transparente dhe të tjera të kësaj natyre”, përfundoi analisti Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)