Beqaj shkon për t’u përshëndet me Haradinajn pas dorëheqjes – s’ka emër të ri të Ministrit

  • 20 June 2019 - 12:24
Beqaj shkon për t’u përshëndet me Haradinajn pas dorëheqjes – s’ka emër të ri të Ministrit

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj,  ka njoftuar se ka liruar nga detyra e ministrit të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqajn, pasi ky i fundit i ka ofruar sot në mëngjes  dorëheqjen të parit të Qeverisë.

“Pranova sot, kërkesën për dorëheqje nga Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj dhe pas kërkesës së tij, duke e falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, vazhduam me procedurat administrative duke e liruar nga detyra e Ministrit”, ka njoftuar Haradinaj.

Dorëheqja e Besim Beqajt nga posti i ministrit vjen pas një vendimi i djeshëm i Kadri Veselit për të larguar nga pozitat partiake dhe institucionale të gjithë zyrtarët e PDK’së që kanë aktakuza të konfirmuara nga institucionet e drejtësisë në Kosovë.

Beqaj për gati tre vite ka ushtruar postin e ministrit duke qenë nën aktakuzë të ngritur për rastin “PRONTO”.

Ai akuzohet veprën penale të “Shkeljes së statutit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës”. 

Këtë aktakuzë ë ka ngritur Prokuroria Themelore e Prishtinës bazuar në nenin 193, paragrafi 4, ndërlidhur me nenin 28 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Beqaj njoftimin për ofrimin e dorëheqjes e ka bërë sot në një konferencë për media.

“Në mëngjes kam paraqitur dorëheqjen tek kryeministri. Unë jam i bindur se aktakuzat janë të pabazuara. Unë premtoj se do të lirohem nga aktakuzat sepse nuk ka bazë për aktakuza. Akuza është me të meta, për sukseset e mia unë jam krenar. Jam i bindur se nuk kam bërë shkelje të ligjit. Epilogu do të vjen shpejtë”, ka thënë Beqaj në një konferencë për media.

Ende nuk dihet se kush do ta zëvëndësojë Beqajn, edhe pse emri i Shaqir Totajt është përfolur e i cili është shprehur i gatshëm për të marrë postin e ministrit. 

Image

(Kosova Sot Online)