A do të dorëzohet Qeveria Haradinaj para Shkëlqim Devollit apo para Bashkimit Evropian?

  • 20 June 2019 - 15:13
A do të dorëzohet Qeveria Haradinaj  para Shkëlqim Devollit apo para Bashkimit Evropian?

Kompania “EuroLab” QAK shpk që nga viti 2009 ka monopol në fushën e homologimit të veturave në Republikën e Kosovës. Kontrata e tyre me shtetin do të skadojë më 1 korrik 2019, megjithatë në një udhëzim administrativ të nxjerrë nga Ministria e Infrastrukturës para një viti, kësaj kompanie do t’i mundësohet monopoli edhe për disa vite të tjera. Kundër kësaj ka dalë Zyra e BE-së në Kosovë dhe më pas personalisht edhe ambasadorë të shteteve të fuqishme, të cilët po bëjnë presion që ai udhëzim të anulohet, pasi thuhet që është në kundërshtim me frymën e  Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Mbetet të shihet nëse Qeveria do të dorëzohet para presionit të BE-së, apo do të trashë monopolin duke ia vazhduar kompanisë së  Shkelqim Devollit licencën për homologim.

Në një marrëveshje të nënshkruar nga Ministria e Transportit dhe Telekomunikacionit më 22 shtator të vitit 2008, kishte autorizuar kompaninë “EuroLab” shpk që për dhjetë vite të kryej shërbimet e “homologimit dhe mbikëqyrjen profesionale të qendrave të kontrollit teknik në tërë territorin e Republikës së Kosovës.

Bazuar në këtë marrëveshje, kompania “EuroLab”, do të kryejë shërbimet e homologimit deri me datë 1 korrik të vitit 2019-të.

Ndërsa për përcaktimin e çmimeve të homologimit, ishin marrë vesh Ministria e Transportit, dhe Ministria e Financave. Nga kjo marrëveshje 10 vjeçare që i kishte mundësuar monopol në fushën e homologimit,  kompania “EuroLab”, ka përfituar miliona euro duke i dëmtuar qytetarët e vendit.

 Duke qenë se marrëveshja  ndërmjet shtetit dhe kompanisë në fjalë do të skadojë pas dhjetë ditësh, Ministria e Infrastrukturës dhe Telekomunikacionit e drejtuar nga minsitri i Infrastrukturës, ka nxjerrë një udhëzim administrativ vitin e kaluar, që do t’i mundësonte kompanisë në fjalë të ketë monopol për procesin e homologimit.

Lidhur me këtë çështje kanë reaguar edhe nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë të cilët kanë kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, që të bëjnë presion mbi Qeverinë për të anuluar Udhëzimin Administrativ që është nxjerrë në vitin e kaluar, e për të cilin Apostolova thotë se ka mundësuar vazhdimin e monopolit të homologimit të automjeteve.

Kërkesën e ka adresuar në Komisionin për Zhvillim Ekonomik, një muaj para se të bëhet udhëzimi i plotfuqishëm, i cili do t’ia siguronte kompanisë “EuroLab” kryerjen e këtij shërbimi, si kompani e vetme edhe për 10 vjet të tjera.

Në mbledhjen e Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Apostolova, ka përsëritur qëndrimin e BE-së se monopoli bie ndesh me standardet e BE-së, e po ashtu edhe me Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, të cilën obligohet ta zbatojë Kosova.

“Udhëzimi Administrativ i Qeverisë 02/2018 për homologimin e automjeteve do të çojë në shtrirjen e monopolit, pasi vendosja aktuale nënkupton zgjerimin automatik të një operatori ekonomik, i cili ka pasur një marrëveshje ekskluzive që nga viti 2008. Kjo praktikë shkon kundër frymës së Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (SAA) dhe krijon pengesa për tregtinë”, ka theksuar ajo.

Pas kësaj kërkese të Apostolovës, deputetët e opozitës kanë kërkuar që t’i shkruajnë një letër ministrit të Infrastrukturës, lidhur me shqetësimet e Komisionit të BE-së, dhe kanë treguar se do ta ftojnë atë në raportim të martën e javës që vjen.

Megjithatë një kërkesë e tillë e opozitës, ka hasur në kundërshtim të deputetëve të pushtetit.

Para deputetëve, shefja e BE-së ka thënë se monopoli në homologimin e veturave është një brengë e ngritur nga BE-ja, pasi bie në kundërshtim me standardet e saj.

Apostolova ka deklaruar se aktualisht qytetarët paguajnë një shërbim në dispozicion vetëm në Prishtinë me një çmim shumë më të lartë se të tjerët në rajon.

Në këtë çështje është përfshirë edhe ambasadori gjerman në Prishtinë, Christian Heldt, i cili ka bërë një sqarim për Apostolovën, duke i treguar se si veturat e reja që importohen në Kosovë, kanë dokumentacion të kompletuar të homologimit, por pasi që arrijnë në Kosovë ata duhet t’i nënshtrohen prap procesit të homologimit nga një kompani që ka monopol, e që duhet të paguajnë çmime më të larta se në të gjithë vendet e Bashkimit Evropian.

 Ndërsa tashmë mbetet në dorë të Qeverisë nëse do të dorëzohet përballë kërkesës së BE-së, apo do t’i nënshtrohet kompanisë “EuroLab” QAK shpk, e cila është në pronësi të Shkelqim Devollit.

E kryeministri Ramush Haradinaj në një konferencë të mbajtur sot, duke thënë se në rast se vërtetohet se përmes atij udhëzimi administrativ është shkelur ligji, atëherë ai do të anulohet.

“Në kompteneca të ministrive dhe marrja e vendimeve të tyre, nuk gjykohet vetëm nga ana deklarative e dikujt tjetër, por gjykohet në bazë të procedurës dhe ligjit. Por unë nuk jam ministër në këtë rast, por brenda ministrisë nëse ka dikush problem me një vendim të marrë, bon me e ataku atë vendim, pa marrë parasysh kush është në pyetje, në bazë të shkeljes së ligjit e procedurave, nëse janë shkelë. Ose mundesh me kërkuar formulë të re për shkak të motiveve. Mundesh me i thanë qeverisë, nuk ke shkel ligj as kurrgjë, por pse se bëni kështu se është më mirë, ta zëmë liberalizim i tregut. Duhet me u sqaru, për çka po bëhet fjalë. Nëse është shkelje ligjore, anulohet menjëherë”, ka thënë Haradinaj.

(Kosova Sot Online)