Si po manipulohen serbët e veriut nga pushtetarët serb

  • 01 July 2019 - 09:17
Si po manipulohen serbët e veriut nga pushtetarët serb

Përkundër paralajmërimeve për sot se në shenjë proteste do të mbyllen shitoret në veri të Kosovës për shkak të mungesës së mallrave nga Serbia nuk ka shenja që situata të ndryshojë.

Shtatë muaj pas vendosjes së taksave në prodhimet e Serbisë gjithnjë e më pak ka ushqim dhe barëra të prodhuara në Serbi, thotë i ashtuquajturi drejtor i zyrës së qeverisë së Serbisë për Kosovë Marko Gjuriq dhe porositë se “kupton pse afaristët nga veriu i Kosovës kanë paralajmëruar mbylljen e shitoreve të tyre”. Zyrtarët serb thonë se mallrat serbe do të arrijnë përsëri në Kosovë, mirëpo nuk tregojnë se si.

Deri tani mallrat nga Serbia në Kosovë janë transportuar nëpër rrugë alternative të kontrabandës, duke i shmangur kalimet legale të kufirit. Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka porositur “që njerëzit të mos brengosen, sepse nuk do të mbeten të unët”.

“Situata për ne është e vështirë, kur të bisedojmë me përfaqësuesit e popullit tonë, e këtë do ta bëjmë pas Vidovdanit (28 qershor), atëherë do të shohim se si do t’ia bëjmë dhe çfarë masa do të ndërmarrim”, ka thënë Vuçiq më 23 qershor.

Ai gjithashtu ka premtuar “masa të rrepta kundër Kosovës pas Shën Gjergjit (6 maj)”, mirëpo ato masa ende nuk janë ndërmarrë.

“Do të jenë këto masa gjithëpërfshirëse, të rënda, serioze, të kalibruara në mënyrë më precize, të cilat do t’i godasin separatistët në Krahinën Autonome Kosovë dhe Metohi, por nuk do t’i zbulojmë”, ka thënë Marko Gjuriq më 24 maj.

“Tani disa kritikë do të thonë se qeveria e Serbisë po i përdorë rrugët alternative për kontrabandë, ekonominë ilegale. Si të doni, por ne dëshirojmë të sigurojmë për serbët në Kosovë t’i kenë prodhimet nga Serbia”, ka thënë kryeministrja e Serbisë Ana Bërnabiq më 19 qershor.

“Presidenti Vuçiq thotë se Kosova është krahina jonë legjitime, mirëpo kur duhet të eksportohet mielli atje, ai nuk mund ta bëjë këtë, pra, nuk është ajo krahinë e jonë legjitime. Është për keqardhje se çfarë po durojnë ata njerëz të gjorë në Kosovë, për shkak të lojërave politike në Serbi të cilat ndodhin prapa shpinës së tyre”, vlerëson Bozhidar Andrijeviq, redaktor në gazetën serbe “Danas”.

(Kosova Sot Online )