Analisti nga SHBA zbulon skenarin për kreun e LDK-së: Mustafa president në koalicion me Vetëvendosjen

  • 11 July 2019 - 08:03
Analisti nga SHBA zbulon skenarin për kreun e LDK-së: Mustafa president në koalicion me Vetëvendosjen

“Deklarimet e Lutfi Hazirit e të Anton Qunit, se kreu i LDK-së mund të zgjidhet me marrëveshje, është sinjal se kjo 'ujdi' tashmë është arritur, duke i rezervuar kryetarit aktual Isa Mustafës edhe një mandat të ri në këtë parti. Kjo për faktin se Isa pretendon edhe postin e presidentit të Kosovës, në një koalicion të mundshëm me VV-në, duke i rehatuar edhe 'luanët' me poste të larta shtetërore”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online” .

Pas deklarimit të Lutfi Hazirit dhe Anton Qunit, se kreu i LDK-se mund të zgjidhet edhe me marrëveshje politike brenda partiake, dhe duke parë vazhdimisht insistimin e Isa Mustafës për ta vazhduar edhe një mandat tjetër në krye të LDK-së, analistët politik vlerësojnë se këto dy personalitete të larta në LDK kanë dhënë sinjalet serioze sipas të cilave, Isa Mustafa do të jetë prapë kryetar i LDK-së.

Sipas analistëve, kjo zgjidhje kompromisi vjen nga fakti se në LDK ekzistojnë grupacione të ndryshme dhe kjo marrëveshje do të jetë si kusht për shpëtimin e partisë nga ndarja.

Një skenar të tillë e sheh real edhe analisti politik, Ramiz Bojaj, i cili konsideron se Isa Mustafa po e ruan momentin e fundit për të rikonfirmuar pozitën e të parit të LDK-së.

Image
Ramiz Bojaj

“Pastaj menjëherë pasi t'i rehatojë të gjithë kundër kandidatët e vet, pretendentë për fronin e kësaj partie, ngase ecuria e proceseve zgjedhore nëpër disa komuna, e tregoi gjendjen e vërtetë në të cilën gjendet kjo parti. Rrahjet, kacafytjet, përplasjet, karriget.... dëshmojnë se kandidatët për pozita të larta në LDK, janë futur në një garë të egër e të pa kompromis. Kjo dëshmon së në LDK funksionojnë grupacionet e egra brenda llojit, të cilët, nuk zgjedhin mjete e metoda për të kapur timonin e të parit”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Sipas Bojajt, ka zëra në LDK që duan edhe një mandat të ri për Isa Mustafën, vetëm për ta ruajtur monopolin në parti të disa grupeve të interesit.

“Kjo është logjika e të jetuarit në Kosovë, e kap pushtetin, milionat 'vijnë' vet pastaj. Deklarimet e Lutfi Hazirit e të Anton Qunit, se kreu i LDK-së mund të zgjidhet me marrëveshje, është sinjal se kjo 'ujdi' tashmë është arritur, duke i rezervuar kryetarit aktual Isa Mustafës edhe një mandat të ri në këtë parti. Kjo për faktin se Isa pretendon edhe postin e presidentit të Kosovës, në një koalicion të mundshëm me VV-në, duke i rehatuar edhe 'luanët' me poste të larta shtetërore”, deklaroi analisti Bojaj për “Kosova Sot Online” .

Sipas Bojajt, njëjtë ka ndodhur edhe me PDK-në, ku kryetar i kësaj partie sipas Bojajt, është zgjedhur një despot tipik komunist, duke ua mbyllur gojën të gjithë kundër kandidatëve.

“Por metodat e tilla të qeverisjes në parti pastaj po sjellin keq qeverisje edhe në shtet, dhe vendi po shkatërrohet. Si rezultat i pazareve për 'despotët' e partive politike, pastaj marrëveshje 'tyxharësh' për të udhëhequr shtetin, pa përfillur asnjë kriter politik e diplomatik, e kanë sjellë vendin në deregjën e shkatërrimit, të izolimit total e të varfërisë së skajshme”, përfundoi Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online )