Vjen thirrja nga Amerika: Komedia ruse me Zaevin zbuloi tragjedinë e kurdisur për Kosovën

  • 12 July 2019 - 13:09
Vjen thirrja nga Amerika: Komedia ruse me Zaevin zbuloi tragjedinë e kurdisur për Kosovën

“Në një shtet normal, menjëherë, do duhej filluar hetimet ndaj presidentit të vendit tonë, i cili duke iu bashkuar aventurave serbe e ruse, po inskenon shkatërrimin e Kosovës”, tha Bojaj për Kosova Sot Online”.

Videot e publikuara të bisedës së kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev me dy komedianët ukrainas, duke menduar se po flet me presidentin e këtij vendit, ku Zaev ka alarmuar për planet e fshehta të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij serb, Aleksandër Vuçiq, në bashkëpunim me Rusinë dhe Turqinë, për shkëmbim territoresh, për të cilën ide thotë se është shumë e rrezikshme, e sipas të cilit Kosova do t’ia japë Serbisë 10 komuna, duke shprehur kështu shqetësimin për destabilizim të rajonit dhe një luftë të re në Ballkan, është parë nga analistët politikë si një skandal serioz.

Analisti dhe publicisti, Ramiz Bojaj që jeton dhe vepron në Amerikë, thotë se komedia ruse zbuloi tragjedinë e kurdisur për Kosovën, pasi videoja e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev me dy komedianët ukrainas tregoi në detaje planin serbo-rus të Hashim Thaçit dhe homologut të tij serb Aleksandër Vuçiq.

Image
Ramiz Bojaj

“Zaev në mënyrë të sinqertë ka treguar për rrezikun aktual që paraqet një marrëveshje e tillë, e cila jo vetëm që ishte vrasëse për shtetin e Kosovës, por, atakoi hapur paqen dhe stabilitetin në rajon dhe më gjerë. Thjeshtë ishte plan lufte, shkatërrim, dhunë e spastrimit etnik. Plan mesjetar serb, por i formatizuar nga pasardhësit e Sllobodan Millosheviqit në Serbi dhe i pranuar e i ambalazhuar nga presidenti ynë Hashim Thaçi”, tha Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Bojaj thotë kjo valle serbo-ruse është e ndihmuar edhe nga presidenti rus, Vladimir Putin, kryeministri shqiptar Edvin Rama dhe nga kreu i Anadollit, Tajib Erdogan

“E promovuan dhe i dhanë zemër nga ortakët Thaçi dhe Vuqiq, për të quar deri në fund planin anti Amerikan të paqes këtu, duke shembur fillimisht shtetin e Kosovës e më pas, Rusia ti vërsulet shteteve për rreth sidomos Abhkazisë e Osetisë, por edhe Ukrainës, e Turqia ta gllabërojë Qipron”, ka thënë Bojaj. 

Më tej, ai ka shtuar se ky ishte plan fashist që do të tërhiqte një konflikt global, prandaj askush më mirë se Zaevi nuk dha kaq detaje të sakta për marrëveshjen në fjalë.

“Thjeshtë kjo është bombë e kurdisur për luftë e gjakderdhje. Zaev ka konstatuar saktë se ky është ndryshim kufijsh, realisht i pa mundur, sepse përtej vijave të reja kufitare, andej e këtej kufirit, sërish mbesin serbë e kosovarë, dhe kjo, do të prodhonte konflikte e luftëra të reja”, tha analisti Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

Për fund, sipas Bojajt, ky konstatim i Zaevit mbetet alarm për skenarin e rrezikshëm për Kosovën dhe Ballkanin, ngase akoma nuk është përjashtuar si projekt prandaj nga pala kosovare që tani do të duhej kërkuar llogari nga Hashim Thaçi.

“Kjo për faktin se Edvin Rama, Hashim Thaçi, Aleksandër Vuçiq, Vladimir Putin e Tajib Erdogan, janë të angazhuar në plane anti amerikane për krijimin e konflikteve të reja, përderisa Kosova ishte goditja më e rëndë e planit amerikan të paqes. Çuditërisht, kjo aventurë lufte e antishqiptare më shumë shqetëson një maqedonas se sa presidentin e Kosovës, kryeministrin e Shqipërisë dhe falangat e tyre Stanishiq&co. Në një shtet normal, menjëherë, do duhej filluar hetimet ndaj presidentit të vendit tonë, i cili duke iu bashkuar aventurave serbe e ruse, po inskenon shkatërrimin e Kosovës. Nuk janë në lojë vetëm komunat e 'Rankoviqit' që presidenti ynë i kishte kontestuar tokat tona me xehe e minerale , por duket se ky ishte vetëm fillimi i lojës”, përfundoi analisti politik, Ramiz Bojaj për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)