Diplomati amerikan: Pa e zgjidhur problemin me Kosovën, Serbia nuk mund të ketë raporte me ShBA’në

  • 27 August 2019 - 12:09
Diplomati amerikan: Pa e zgjidhur problemin me Kosovën, Serbia nuk mund të ketë raporte me ShBA’në

Charles Kupchan, ish këshilltar i ish presidentit të ShBA-së, Barack Obamas, ka thënë se Beogradi nuk mund të ketë dialog dhe raporte me Uashingtonin zyrtar derisa nuk e zgjidh problemin me Kosovën

Një gjë të tillë Kupchan e ka thënë në një intervistë për edicionin e Zërit të Amerikës në gjuhën serbe.

“Dialogu ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë nuk mund të fillojë përpara se të zgjidhet problemi ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë ish këshilltari për Evropë gjatë administratës së Obambas.

Sipas tij, raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe problemi ndërmjet këtyre dy shteteve është më kompleksi në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Dialogu ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë i ka dy pjesë, e para ka të bëjë me negociatat dhe normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës dhe e dyta përfshinë më shumë çështje që janë dypalëshe”, është shprehur tutje Kupchan.

Diplomati amerikan në këtë intervistë ka folur edhe rreth idesë së shkëmbimit të territoreve, ide për të cilën thotë se ishin pajtuar Hashim Thaçi dhe Aleksander Vuçiq, e që më pas ndërhyri kryeministri në dorëheqje, Ramush Haradinaj.

Sipas tij vetëm në rast të arritjes së një marrëveshje Prishtinë-Beograd, atëherë mund të ketë dialog ndërmjet SHBA-së dhe Serbisë, që do të pasohet me diskutime për raportet ndërmjet Serbisë dhe Rusisë dhe gjithashtu me Republika Srpskan.

“Nëse marrëveshja arrihet, mund të ketë vazhdim të dialogut për raportet ndërmjet Serbisë dhe SHBA-së. Për raportet e Serbisë dhe Rusisë, si dhe gjithashtu me Republika Srpskan”, ka shtuar tutje ai.

Më tej Kupchan ka thënë se sa më gjatë që Kosova dhe Serbia nuk gjejnë një gjuhë të përbashkët për marrëveshje, atëherë krijohet një mundësi që të ndërhyjë Rusia.

“Rusët janë shumë të aftë që të përdorin tensionet etnike, politike e fetare në rajon. Ata përpiqen që të parandalojnë vendet e rajonit të afrohen me Perëndimin si dhe anëtarësimin në NATO. Ata tentuan të ndalonin Malin e Zi që të anëtarësohet në NATO, gjithashtu dhe Maqedoninë Veriore”, ka potencuar ish-këshilltari i Obamas.

Kupchan thotë se Rusia e di që pranimi i Serbisë në BE, varet kryekëput nga marrëveshja ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

“Ky dialog deri më tani nuk ka sjellë rezultate. Serbia mendon se mund të kalojë në avantazh duke u  mbështetur në Rusinë. Megjithatë nëse Beogradi dhe Prishtina arrijnë të gjejnë një zgjidhje, besoj që një gjë e tillë do ta orientonte diplomacinë e Serbisë drejt Perëndimit”, shton Kupchan duke thënë se një gjë e tillë do të dobësonte edhe lidhjet serbo-ruse.

Ndërkohë vizitën e presidentit të Francës në Beograd, Kupchan e sheh si përpjekje të Macronit për të kopjuar kancelaren gjermane, Angela Merkel, që  sipas tij ka marrë rol dominant në Ballkanin Perëndimor.

Kupchan thotë se marrëveshja Kosovë-Serbi duhet të arrihet përmes dialogut të dy palëve që do të ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, duke përmendur në të njëjtën kohë edhe gatishmërinë e Mogherinit për të lënë të hapur mundësinë e diskutimit të idesë së shkëmbimit të territoreve.

“Mogherini nuk ishte plotësisht dakord me idenë e shkëmbimit të territoreve, por të paktën ajo ishte e gatshëm të merrte në konsideratë një mundësi të tillë”,  ka thënë Kupchan.

Në fund ai thotë se Administrata e Trump është më e gatshme që të punojë për një zgjidhje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë se sa vendet e Bashkimit Evropian.

Presidenti i Serbise, Aleksander Vuçiq, para pak ditësh ka qendruar në Washington ku është takuar me Sekretarin e Shtetit, Mike Pompeo. Siç kanë raportuar mediat gjermane, Pompeo i ka bërë presion të madh Vuçiqit për të arritur një marrëveshje finale me Kosovën që përfshinë edhe njohjen e pavarësisë së Kosovës. Një gjë të tillë thuhet se Vuçiqit ia ka thënë edhe Angela Merkel, duke i kujtuar se vetëm me zgjidhjen finale të problemit me Kosovën, Serbia mund të pretendojë anëtarësimin në Bashkim Evropian.

(Kosova Sot Online)