Zhvillime të papritura: Vetëvendosje e pranon Vjosa Osmanin për kryeministre

  • 29 August 2019 - 18:07
Zhvillime të papritura:  Vetëvendosje e pranon Vjosa Osmanin për kryeministre

Ish drejtori i Kulturës në Komunën e Prishtinës dhe ish anëtari i Partisë së Fortë që aktualisht është aktivist i zëshëm i Lëvizjes Vetëvendosje, Yll Rugova, përmes një statusi në Facebook ka dhënë shenja të qarta se partia e tij është afër ta pranojë kandidaten e LDK-së për kryeministre, Vjosa Osmani.

Rugova është treguar i ashpër ndaj PDK-së dhe presidentit Hashim Thaçi, duke u munduar që të justifikojë qëndrimin e tij dhe eventualisht partisë së tij për heqjen dorë nga kryeministri.

"Nuk është fer ndaj të ardhmes sonë të përbashkët që ky moment historik të kushtëzohet me pozita për kryeministër”, shkruan Rugova.

Postimi i plotë:

Nuk ka guxim më të madh politik se me u bashku opozita e deridjeshme në një koalicion që do të jetë qeverisja e ardhshme.

Një bashkim i tillë parazgjedhor kish me tregu vizion dhe maturi të hatashme politike dhe përfundimisht kish me vendosë në pozitë mat PDK-në, Hashim Thaçin dhe preponentët e tyre.

Një bashkim i tillë kish me fitu i vetëm. Duke e lënë jashtë kështu edhe Listën Serbe.

Nuk është fer ndaj të ardhmes sonë të përbashkët që ky moment historik të kushtëzohet me pozita për kryeministër.

Momenti i ndryshimit që po e presim është moment historik. Andaj edhe duhen marrë masa dhe veprime të guximshme historike. Unë besoj se kjo do të ndodhë!

(Kosova Sot Online)