Trump ia huq përsëri: “Uragani do ta godasë Alabama-n”

  • 02 September 2019 - 14:04
Trump ia huq përsëri: “Uragani do ta godasë Alabama-n”

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka shkaktuar paqartësi të panevojshme duke thënë se uragani “Dorian”, tashmë i cilësuar si stuhia më e fuqishme që e ka arritur sipërfaqen tokësore të ShBA-së, do ta godasë Alabama-n, kur në fakt ky shtet nuk pritet të preket nga uragani.

Tri shtete të tjera – Florida, Karolina Jugore dhe Georgia – janë duke kryer evakuime të pjesshme ose të plota, ndërsa në Karolinën Veriore është shpallur gjendja emergjente. Sidoqoftë, zyrtarët e Alabama-s nuk kanë dhënë urdhër për zhvendosje të njerëzve. 

Presidenti amerikan e shtoi edhe më tepër habinë e gazetarëve, kur tha se nuk ka dëgjuar asnjëherë për stuhi të kategorisë së pestë, pavarësisht se e kishte bërë të njëjtin koment së paku katër herë më parë gjatë presidencës së tij.

Ai shkroi në Twitter: “Përpos Floridës, edhe Karolina Jugore, Karolina Veriore, Georgia dhe Alabama pritet të goditen shumë më fuqishëm sesa është parashikuar. Po duket se është një nga stuhitë më të mëdha ndonjëherë. Tashmë ka shkuar në kategorinë e pestë. Kujdes! Zoti i bekoftë të gjithë”.

Deklaratat e presidentit e nxitën reagimin e organizatave për motin. Dega e Shërbimit Kombëtar të Motit në Alabama tha se ky vend nuk do të preket nga uragani, shkruan “Independent”.

(Kosova Sot Online)