Në prag të zgjedhjeve, aktivizohen 60 mijë veteranët e ‘rrejshëm’

  • 13 September 2019 - 18:39
Në prag të zgjedhjeve, aktivizohen 60 mijë veteranët e ‘rrejshëm’

Loja me certifikata të reja për veteranët në këtë kohë, është metodë e kontrabandimit të votës, është diçka e menduar mirë, pasi humbjen e kanë pasur dhe e kanë të garantuar nga qytetarët e mashtruar...

Zvarritja e madhe që është duke ju bërë nga ana e drejtësisë kosovare trajtimit të skandalit të listave të fryra me veteranët e UÇK-së, duke mos u gjykuar rasti dhe duke mos u identifikuar se cilët janë veteranët pjesëmarrës të vërtetë të luftës, sipas analistëve politikë do t’i kushtojnë Kosovës në këto zgjedhje me votë të kontraktuar për partitë politike në pushtet.

Sipas analistëve, të gjithë ata veteranë që janë shpallur si të tillë, do të shndërrohen në votë të garantuar për ish partitë në pushtet, kush për PDK-në, kush për AAK-në e kush për NISMA dhe partnerët në koalicion.

Image
Ragip Guraziu

Analisti politik, Ragip Guraziu tha për “Kosova Sot Online” se politika që e kontrollon drejtësinë kosovare, Prokurorinë dhe Gjykatat, qëllimisht ka ndërhyrë që të mos pastrohet ku skandal, që numri i veteranëve të jetë ai që është i trefishuar, dhe të tillëve tani do ju bëhet presion nga grupet e interesit politik që ta japin votën e tyre, por edhe të sigurojnë vota të tjera nga rrethi i ngushtë dhe më i gjerë familjar.

“Kjo është një gjendje e tillë e pa ndryshueshme. Është e sigurt që në këto zgjedhje do të jetë pikërisht vota e listës së trefishuar e atyre 60 mijë veteranëve të luftës,votë e garantuar për ish partitë në pushtet që do ti shpëton nga humbja e madhe, madje duke u rrezikuar edhe me mos kalim të pragut zgjedhor. Me të drejtë tani e kanë ngritur shqetësimin e vetë edhe OVL-ja duke deklaruar se kanë informacione se gjithandej nëpër teren kanë filluar përsëri të bëhen pazare me certifikatat për veteranët e UÇK-së. Ky abuzim nuk ka qëllim tjetër në këtë kohë fushate vetëm që ato të shkëmbehen me vota”, tha Guraziu për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Guraziut, pikërisht duke ditur një plan të tillë të këtyre ish partive në pushtet, që në mandatin e kaluar përbënin koalicionin PAN, qytetari duhet t’i ndëshkojë që të gjitha me votë, sepse të njëjtat po përgatiten ta përdorin kush më shumë e kush më pak hisen e vetë të veteranëve të rrejshëm, madje edhe duke u koordinuar tani që të lëshohen certifikata të reja vetëm e vetëm që të shtohet numri i votave.

“Është në dorë të qytetarit që këtyre partive politikë që ishin në koalicionin PAN të ju shqiptohet ndëshkimi i madh me votë. Ndryshe loja me certifikata të reja për veteranët në këtë kohë është metodë e kontrabandimit të votës, është diçka e menduar mirë sepse humbjen e kanë pasur dhe e kanë të garantuar nga qytetarët e mashtruar. Tani do të jenë shpëtimtare votat e blera me krim e korrupsion nga paratë e tenderëve të ndryshëm të abuzuar dhe ata 60 veteranë që marrin benefitet e tyre në emër të luftës, e që janë votë e garantuar e rezervuar që nuk guxon të dështon sepse ashtu janë marr vesh, është votë paraprakisht e kontraktuar”, përfundoi Guraziu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)