Brexit-i pa marrëveshje do të ketë efekt të tmerrshëm në industrinë e veturave

  • 23 September 2019 - 10:25
Brexit-i pa marrëveshje do të ketë efekt të tmerrshëm në industrinë e veturave

Përfaqësuesit e industrisë së veturave në Evropë kanë paralajmëruar për efekte katastrofike në rast të largimit të Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje.

Në një deklaratë të rrallë të përbashkët, shefat e 23 shoqatave tregtare të veturave në mbarë Evropën i bashkuan forcat për ta tërhequr vërejtjen kundër daljes së Britanisë nga BE-ja pa marrëveshje. Në këtë shtet fabrika kanë kompanitë “BMË”, “Peugeot” dhe “Nissan”.

“Brexit-i nuk është vetëm problem britanik. Ne të gjithë jemi të përfshirë në industrinë evropiane të veturave”, tha Christian Peugeot, kryetar i shoqatës franceze të veturave, CCFA, përmes një deklarate.

Duke i shfrytëzuar përfitimet e tregut të përbashkët të BE-së, prodhuesit e veturave kanë zinxhirë furnizues edhe në Britani. Sipas të dhënave të organizatave industriale, rreth 10 për qind e veturave të prodhuara në Evropë shiten në Mbretërinë e Bashkuar.

Kryeministri i Britanisë së Madhe, Boris Johnson, ka nxitur reagime të shumta me zotimin se do ta largojë vendin e tij nga Bashkimi Evropian më 31 tetor, me apo pa marrëveshje me Brukselin.

Për shkak të këtij paralajmërimi, disa prodhues të veturave kanë paralajmëruar se do t’i mbyllin fabrikat në Britani. Ata tashmë i kanë zvogëluar investimet në këtë shtet për 70 për qind vetëm në pjesën e parë të këtij viti, shkruan “The Guardian”.

(Kosova Sot Online)