Vuçiq u kërkon serbëve të dalin në zgjedhjet e Kosovës për ta votuar Listën Serbe

  • 04 October 2019 - 18:22
Vuçiq u kërkon serbëve të dalin në zgjedhjet e Kosovës për ta votuar Listën Serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përsëri u bëri thirrje të gjithë serbëve në Kosovë që të dalin në zgjedhjet e 6 tetorit  dhe siç tha ai “të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre”. Ndërkaq ai vazhdon të bëjë fushatë nga Beogradi për Listën Serbe.

Vuçiq pas një takimi që pati në Beograd me kandidatët e Listës Serbe për deputetë në zgjedhjet e së dielës  tha se vota për Listën Serbe është çështje e mbijetesës së serbëve në Kosovë dhe të ardhmes së Serbisë. 

Ai tha se kjo listë “ishte e ekspozuar ndaj një fushate brutale, dhe qëllimi i asaj fushate ishte, siç theksoi ai, “të dobësojë pozicionin e popullit serb në Kosovë, Serbinë në tërësi dhe pozitën negociuese të vendit tonë në zgjidhjen e çështjes së Kosovës”, shtoi ai.

Koalicioni “Liria”, i krijuar nga partitë e tjera politike të serbëve në Kosovë, deklaratat e presidentit serb për votimin e Listës Serbe i kanë quajtur si përçarje të serbëve në Kosovë.

Ndërkaq, kandidati i këtij koalicioni për kryeministër, Nenad Rashiq, e ka quajtur Listën Serbe ‘monstrum politik’ dhe ka kërkuar që të votohet “Liria” për ta hequr qafe partinë që Vuciq e përkrah në Kosovë.

(Kosova Sot Online)