Përplasje brenda PDK-së, shpërthejnë akuzat e rënda për...

  • 13 October 2019 - 07:30
Përplasje brenda PDK-së, shpërthejnë akuzat e rënda për...

“Fenomeni i blerjes së votës ka qenë edhe më parë si një nga metodat e PDK-së për ta blerë vullnetin e qytetarëve duke e shfrytëzuar edhe gjendjen e rënd sociale në vend, dhe me deklaratën e Blerim Latifit për këtë fenomen, kujtoj se nuk është diçka që tani na e zbuloi Blerimi. Natyrisht se ky fenomen kriminal do të duhej të hetohej nga prokuroria e shtetit, në mënyrë që ky fenomen mos të jetë dominues e përcaktues i fituesit edhe në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të nivelit lokal apo qendror”, tha Haziri për “Kosova Sot Online”.

Image
Nexhat Haziri

Analistët politikë po i përcjellin me vëmendje të madhe zhvillimet brenda PDK-së, ku së fundi kanë shpërthyer akuza të rënda në mes të grupeve të caktuara, për të gjetur , sipas tyre fajtorin kujdestar pse i humbën zgjedhjet dhe mbetën në opozitë pas 6 tetorit.

Ajo që sipas disa zyrtarëve të PDK-së e ka sjell humbjen e madhe në këto zgjedhje, nuk është rivaliteti me subjektet politike, por rivaliteti i brendshëm mes grupeve dhe kandidatëve për deputet, të cilët kanë shpenzuar para të majme për të blerë votën, në interes të njërit apo tjetrit individ, të atij apo këtij grupi të caktuar të interesit brenda PDK-së.

Sipas analistit politik, Nexhat Haziri, këtë përçarje të madhe brenda partisë së Kadri Veselit, më së miri e ka shpërfaqur dhe nxjerr në shesh, ish këshilltari i tij i parë Blerim Latifi, sipas të cilit, në rajonin e gjerë të Drenicës, votat janë shitur e janë blerë me nga 5 deri në 10 euro, ose me nga disa metra drush për dimër, ose me lëmosha të tjera të artikujve ushqimor e shërbime të tjera.

Haziri thotë se tradicionalisht, PDK-ja ka abuzuar dhe e ka përdorë fenomenin e blerjes së votës, për të avancuar karshi kundërshtarëve të vetë politik në zgjedhje, mirëpo fakti që në këto zgjedhje dolën humbës, dhe kishin luftë të brendshme për vota, u nxori kjo e vërtetët në shesh nga vetë figurat e PDK-së, dhe tani ka argumente publike që të hetohet ky veprim kriminal edhe nga prokuroria.

“Fenomeni i blerjes së votës ka qenë edhe më parë si një nga metodat e PDK-së për ta blerë vullnetin e qytetarëve duke e shfrytëzuar edhe gjendjen e rënd sociale në vend, dhe me deklaratën e Blerim Latifit për këtë fenomen, kujtoj se nuk është diçka që tani na e zbuloi Blerimi. Natyrisht se ky fenomen kriminal do të duhej të hetohej nga prokuroria e shtetit, në mënyrë që ky fenomen mos të jetë dominues e përcaktues i fituesit edhe në zgjedhjet e ardhshme, qofshin ato të nivelit lokal apo qendror”, tha analisti Nexhat Haziri për “Kosova Sot Online”.

Sipas Hazirit, modeli i blerjes masive të votës përmes parasë së krimit të organizuar, në Kosovës është marr model nga Shqipëria, e ku pasojat po shihen nga viti në vit, me institucione jo stabile dhe krim të organizuar.

“Në një vend ku blihet vullneti i qytetarëve me 10 euro apo më një thes miell siç është mjaftë i theksuar në Shqipëri, është vrasje e demokracisë dhe e dëmton thellë funksionimin e shtetit, duke e ulur edhe llogaridhënien e institucioneve apo të zgjedhurve që dalin nga një proces zgjedhor I korruptuar në raport me qytetarët-votuesit. Prandaj edhe deklarata e Blerim Latifit, kur ai akuzon strukturat e partiake për blerje dhe manipulim votash brenda llojit të vet, është një sinjal që vërteton, atë që e kam thënë edhe më parë, se pas humbjes në zgjedhje PDK-ja do të përballët me përplasje të ashpra të brendshme, ku grupet e caktuara do të bëjnë luftë të ashpër për t’ia faturuar njëra-tjetrës debaklin e pësuar në zgjedhjet e 6 tetorit. Kjo pa dyshim se mund të prodhoj edhe ndarjen në dysh të PDK-së që qon në formimin e partisë së re si rezultat i thyerjeve brenda PDK-së”, përfundoi Haziri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)