Nis një peticion për shkarkimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës

  • 14 tetor 2019 - 18:26
Nis një peticion për shkarkimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës

Kryetari Bashkësisë Lokale të Dardanisë, Safet Kamberaj, para tri vitesh kishte kërkuar shkarkimin e Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Komunës së Prishtinës. Tani, ai po e kërkon përsëri një gjë të tillë. Kamberaj ka filluar nismën për të nënshkruar një peticion kundër Ahmetit, për të cilin thotë se ka përkrahje edhe nga OJQ të ndryshme dhe nga qytetarët e Prishtinës.

Kamberaj ka thënë për media se në zgjedhjet e fundit të jashtëzakonshme në Kosovë ku Ahmeti nuk arriti të marrë vota të mjaftueshme për t’u bërë deputet, është dëshmuar pafuqia e tij politike.

“Megjithëse shumëkush është habitur pse Shpend Ahmeti nuk mundi t’i sigurojë më shumë se 7 mijë vota jo vetëm në kryeqytetin e Kosovës, por në gjithë Kosovën, së pari si shef i Partisë Socialdemokrate (PSD) dhe së dyti në koalicion me Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), besojmë thellë se është koha dhe momenti i duhur që qytetarët e Prishtinës të mendojnë seriozisht për të ardhmen e qytetit të tyre, në mënyrë që të nisim një peticion për shkarkimin e kryetarit aktual Shpend Ahmeti”, ka thënë Kamberaj.

Kamberaj thotë se nisma për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e Ahmetit vjen edhe si rezultat i neglizhencës së tij në punët që do duhej t’i kryente në kryeqytet.

Ai thekson se kanë nisur bisedimet edhe me disa OJQ të cilat kanë dhënë mbështetje në nismën për nënshkrimin e peticionit për shkarkimin e Ahmetit.

“Menjëherë mbas zgjedhjeve nacionale të 6 tetorit, kemi nisur të bisedojmë edhe me disa OJQ, me të cilat jemi dakorduar që të nisim peticion për shkarkimin e kryetarit aktual të Prishtinës. Ende besojmë që Ahmeti t’i ketë mbetur sadopak ndërgjegje që të ofrojë dorëheqjen nga pozita e kryetarit të Prishtinës dhe po ashtu ende besojmë se ai tashmë është i vetëdijshëm për peshën e situatës në të cilën gjendet, aq më shumë kur të kihet parasysh se që nga 6 tetori i këtij viti, u pa hapur se ai nuk e gëzon as minimalisht mbështetjen qytetare së pari në kryeqytetin të cilin e drejton, e aq më pak në qytete tjera të Kosovës”, ka thënë Kamberaj.


(Kosova Sot Online)