Vjen kërkesa për qeverinë e re, kërkohet ndëshkimi i rëndë për PAN-in

  • 16 October 2019 - 07:40
Vjen kërkesa për qeverinë e re, kërkohet ndëshkimi i rëndë për PAN-in

“Kjo periudhë nuk karakterizohet me qeverisje por me anarki. E keq qeverisja është më e keqe se anarkia. Së paku 4 “kryeministra” secili ka qeverisur me ministrat e vetë. Kryeministri, në letër ka qeverisur vetëm me dy ministri. E kanë ditur se nuk janë për një kohë të gjatë dhe vetëm kanë grabitur. Kanë filluar nga pagat, i rritën 100% që do të thotë se pagat për 4 vjet i morën për dy!”, tha Preteni për “Kosova Sot Online”.

Image
Hasan Preteni

Se qeverisja e keqe, zhvatëse dhe e inkriminuar për dy vjet të koalicionit të fundit PANA, nuk është percepcion qytetar por realitet i dokumentuar, sipas analistëve politikë më së miri e argumenton dhe dokumentin edhe raporti i fundit të Institutit GAP, përmes të cilit është raportuar se si Institucionet e qeverisjes në ikje abuzuan skajshëm me buxhetin, duke shpenzuar rreth 20 milionë € për telefona, karburante e mëditje për udhëtime.

Prandaj sipas analistëve të politikës, edhe vota e zgjedhjeve të 6 tetorit ishte ndëshkimi më meritor që e morën të tre partnerët kryesor të koalicionit PANA nga kosovarët.

Sipas raportit vjetor financiar 2018 të Ministrisë së Financave, gjatë vitit 2018, të gjitha institucionet publike kanë shpenzuar në total rreth 20 milionë euro për reprezentacion, përdorim të telefonave mobil, karburante për vetura si dhe mëditje për udhëtimet brenda dhe jashtë vendit. Secila nga këto kategori ka pasur rritje nga viti 2017, ku shpenzimet për mëditje janë rritur për 45%, për reprezentacion për 18%, për telefona mobil për 30% si dhe për karburante për 1%.

Analisti dhe njohësi i fushës së sundimit të Ligjit, Hasan Preteni, tha për “Kosova Sot Online” se në këtë raport të bërë publik, ka mjaft elemente për të cilat do të mundë të angazhohej Prokuroria dhe të zhvillojë hetimet për abuzimin me pranë publike, kurse Qeveria e re në ardhje duhet të merret me një auditim të veçantë të mënyrës së menaxhimit dhe shpenzimit të buxhetit të shtetit.

Ish kreu i Agjensionit Anti –Korrupsion, Hasan Preteni thotë se krejt kjo zhvatje ka ndodhur për shkak të gjendjes anarkiste që ka mbretëruar për dy vjet në qeverinë e Kosovës.

“Kjo periudhë nuk karakterizohet me qeverisje por me anarki. E keq qeverisja është më e keqe se anarkia. Së paku 4 “kryeministra” secili ka qeverisur me ministrat e vetë. Kryeministri, në letër ka qeverisur vetëm me dy ministri. E kanë ditur se nuk janë për një kohë të gjatë dhe vetëm kanë grabitur. Kanë filluar nga pagat, i rritën 100% që do të thotë se pagat për 4 vjet i morën për dy! Edhe gjëra të tjera, tender, luks, mëditje e reprezentacion, që i kanë tejkaluar edhe shpenzimet 4 vjeçare”, tha Hasan Preteni për “Kosova Sot Online”.

Preteni tha për “Kosova Sot Online” se edhe madhësia e kabinetit qeveritar me shumë ministri të shpikura vetëm për ta kapur shtetin, qëllimin kryesor e ka pasur tek zhvatja, zhvatje që duhet të analizohet, dokumentohet dhe denoncohet nga qeveria në ardhje.

“Kabinet “ Kinez” me shumë zëvendës , këshilltar e koordinator. Vende pune të shpikura me arrogancë e mos dije ishte fundi i të zezës. Edhe tani pas 6 Tetorit do vazhdojnë skajshmërisht të keqpërdorin e gllabërojë derisa ta dorëzojnë pushtetin. Mirëpo unë mendoj që puna e parë e Kryeministrit të ri duhet të jetë realizimi i i një auditivi të plotë. Të koordinohet me Auditorin Kombëtar! Duhet të bëhet regjistrim i të gjeturave dhe pastaj të vazhdohet me punën. Të gjejnë edhe kryeprokuror që do ti trajton ato raporte dhe të vepron. Do kalojnë dy vite vetëm në sanimin e situatës së qeverisë së fundit e pastaj të vendoset stabiliteti sepse Kosova kaloi “cunamin” më të fuqishëm në këtë periudhën e pas luftës”, përfundoi Preteni për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)