Johnson do të kërkojë zgjedhje të reja, nëse BE-ja ofron shtyrje të Brexit-it

  • 23 October 2019 - 10:16
Johnson do të kërkojë zgjedhje të reja, nëse BE-ja ofron shtyrje të Brexit-it

Qeveria britanike ka lënë të kuptohet se shefi i saj, Boris Johnson, do të kërkojë zgjedhje të parakohshme, nëse Bashkimi Evropian propozon që realizimi i Brexit-it të shtyhet deri në fund të janarit të vitit të ardhshëm.

Kryeministri u detyrua të ndalet së zbatuari planin e tij për largimin e Britanisë nga Bashkimi Evropian pasi nuk i mori votat e mjaftueshme që marrëveshja të miratohet brenda tri ditëve.

Tash, liderët e Bashkimit Evropian do të diskutojnë për mundësinë e shtyrjes së afatit të këtij procesi përtej datës 31 tetor dhe për gjatësinë kohore të afatit të ri.

Ministri britanik i drejtësisë tha se është shumë dëshpëruese që qeveria nuk i mori votat për miratimin e legjislacionit për Brexit-in. “Nëse nuk ia dalim, duket që, fatkeqësisht, zgjedhjet e përgjithshme janë rruga e vetme për ta zgjidhur këtë problem”, tha ai.

Ministri gjithashtu theksoi se edhe Brexit-i pa marrëveshje është opsion i mundshëm, nëse Bashkimi Evropian vendos që të mos ofrojë afat të ri për miratimin e marrëveshjes në kuvendin britanik.

Kryeministri Johnson tha të martën para deputetëve se qëndrimi i tij është që Britania të ndahet nga BE-ja këtë muaj, por gjithashtu pranoi se dëshiron të presë dhe të shohë se çfarë do të thonë liderët e BE-së për këtë çështje, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)