“Testi” për mbijetesën e qeverisë, vjen paralajmërimi për VV-në dhe LDK-në

  • 24 October 2019 - 07:52
“Testi” për mbijetesën e qeverisë, vjen paralajmërimi për VV-në dhe LDK-në

“Përfundimisht duhet thënë se opozita si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, ka hyrë në obligime të mëdha para qytetarëve të vendit me premtimin madhorë për ç’kapjen e shtetit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. Andaj çdo ngecje në këtë drejtim, qeveritarëve të rijnë do t'ju kushtojë me humbje të kredibilitetit dhe humbje akoma më të shpejtë të pushtetit”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Kërkesat në rritje të ndërkombëtarëve për qeverinë në ardhje, për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, sipas analistëve politikë janë tregues se edhe në mandatin e ri qeverisës, Kosova do të jetë në shënjestër të kërkesave ndërkombëtare për luftë më të ashpër në këtë fushë, madje me kërkesa akoma më të prera dhe shumë më të ashpra, duke shpërfaqur edhe kushtëzime konkrete.

Kështu thotë për “Kosova Sot Online” analisti politik, Florim Zeqa.

“Madje kjo po shihet dhe po paralajmërohet që tani, ngase shteti i zviceran po vazhdon ti bënë presion qeverisë që pritet të krijohet, për ashpërsimin e luftës kundër krimit e korrupsionit, me theks të veçantë edhe po kërkon konfiskimin e pasurisë së paligjshme të zyrtarëve të lartë. Kjo më së miri shihet nga kërkesa konkrete, sipas së cilës thuhet se korrupsioni nuk është vetëm çështje etike, por prek në mënyrë sistematike jetën e njerëzve, dhe se deri më tani Kosova ka pasur fare pak sukses në sanksionimin e rasteve të korrupsionit e që ndërlidhte me një numër të vogël të konfiskimit të pasurisë, ngase zyrtarët përfitojnë nga pasuria e përfituar nga krimi, prandaj është imperativ që pasuria e vjedhur ose e fituar në mënyrë të paligjshme të konfiskohet dhe t’u kthehet qytetarëve të Kosovës”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Image
Florim Zeqa

Sipas analistit Zeqa, lëvizjet pozitive në këtë drejtim varen nga personaliteti dhe guximi në veprim që do të ketë ministri i ardhshëm i drejtësisë, i cili duhet të jetë shumë kërkues nga organet e drejtësisë për zbatimin e ligjit dhe jo për t’i penguar ato, sikur është vepruar në mandatet deritanishme të qeverisjes.

“Mendoj që punë të madhe në këtë drejtim mund të bëjnë një ministër i guximshëm i Drejtësisë dhe një ministër i përkushtuar i Punëve të Brendshme, të cilët së bashku do t'ia dridhnin themelet korrupsionit dhe krimit të organizuar, e të mos flasim për një kryeministër të përgjegjshëm i cili nuk mendon për pasurim e privilegje personale, por që vëzhgon në vijimësi përformancën e ministrave në qeverinë e tij”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, zotimi për të vepruar në këtë drejtim ka qenë i pranishëm vazhdimisht nga partitë fituese të zgjedhjeve, që ishin deri tani në opozitë, dhe tani testi është para tyre.

“Përfundimisht duhet thënë se opozita si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit ka hyrë në obligime të mëdha para qytetarëve të vendit me premtimin madhorë për ç’kapjen e shtetit dhe luftimin e krimit dhe korrupsionit. Andaj çdo ngecje në këtë drejtim, qeveritarëve të rijnë do t'ju kushtojë me humbje të kredibilitetit dhe humbje akoma më të shpejtë të pushtetit, ngase qytetarët nuk u besojnë më fjalëve, por rezultateve konkrete dhe veprimeve transparente”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online".

(Kosova Sot Online)