Ukraina arreston një komandant të lartë të ISIS-it

  • 16 November 2019 - 10:52
Ukraina arreston një komandant të lartë të ISIS-it

Agjencia kryesore e sigurisë në Ukrainë njoftoi se e ka arrestuar një figurë të rëndësishme të grupit të ashtuquajtur Shtet Islamik.

Al-Bara Shishani, i cili ka shtetësi gjeorgjiane, u arrestua afër kryeqytetit ukrainas, Kiev, njoftoi përmes një deklarate Shërbimi i Sigurisë i Ukrainës.

Në këtë deklaratë thuhet se për arrestimin e këtij personi autoritetet ukrainase kanë bashkëpunuar me CIA-n amerikane dhe Ministrinë e Brendshme të Gjeorgjisë.

Vika Klimicheva, zëdhënëse e shërbimit shtetëror të sigurisë në Gjeorgji, konfirmoi se ky burrë është duke u mbajtur në Ukrainë dhe se emri i tij i vërtetë është Cezar Tokhosashvili.

Shishani ka shërbyer si zëvendës i Abu Omar al-Shishani-t, për të cilin Pentagoni kishte thënë se është ministër i luftës i ISIS-it.

Pasi ai ishte vrarë në vitin 2016, personi tashmë i arrestuar kishte ikur në Turqi dhe me një pasaportë të falsifikuar kishte arritur të udhëtonte në Ukrainë, ku kishte vazhduar të shërbejë për ISIS-in.

Ai është lindur në Gjeorgji, në rajonin e Kaukazit, pranë kufirit me Rusinë, shkruan “Free Europe”.

(Kosova Sot Online)