Akuza e rëndë ndaj Edi Ramës për tradhti kombëtare, ja pse dështon “Mini Shengeni”

  • 18 November 2019 - 18:54
Akuza e rëndë ndaj Edi Ramës për tradhti kombëtare, ja pse dështon “Mini Shengeni”

“Pra, "Mini Shëngeni", s'është asgjë tjetër veçse një thikë pas shpine e Shqipërisë ndaj Kosovës, kur Shqipërinë nuk e lidhë asnjë pikë tokësore dhe as doganore me Serbinë, shfrytëzimi i Autostradave super të kushtueshme të Kosovës për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave serbe në drejtim të Shqipërisë dhe përtej Adriatikut në drejtim vendeve aziatike”, tha Zeqa për “Kosova Sot Online”.

 

Analistët politikë vlerësojnë se ideja për krijimin e të ashtuquajturit “Mini Shengen” Ballkanik, një projekt që e akorduan së fundi Aleksandër Vuqiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama, për të cilin e kishin marr më parë edhe mbështetjen parimore të Hashim Thaçit, po shkon shpejtë dhe sigurt drejtë dështimit, pasi që kundërshtimet e fuqishme ndaj projektit të tillë u deklaruan në Kosovë, por reagimi i shpejtë dhe kundërshtues i shpërfaq edhe nga Qeveria e Malit të Zi.

Image
Florim Zeqa

Përfundimin e shpejtë, dështimin fatal të këtij projekti, që kishte për qëllim krijimin e një mini Jugosllavie të re, e sheh punë të kryer për shkak të kundërshtimit që iu bë nga Kosova dhe Mali i Zi, analisti politik, Florim Zeqa.

“Jo vetëm që kundërshtimet e Kosovës dhe Malit të Zi, munden të mos e lejojnë implementimin e idesë Vuqiq-Rama-Thaçi për rekonstruktimin e një mini Jugosllavie të re të kontrolluar nga Serbia dhe Rusia, por, Kosova e ka për obligim të mbrojë sovranitetin dhe integritetin e saj të shkelur fillimisht nga pushteti diktatorial dhe vasalist i Edi Ramës në Shqipëri, i cili e shkeli dhe injoroj Kosovën në vazhdimësi që nga takimi i Nishit i 2016-s me Aleksandër Vuçiqin, i pasuar me takimin e Ohrit dhe takimit të ardhshëm të Durrësit. Plani famëkeq i treshes Vuqiq-Rama-Thaçi, përveç ndarjes dhe rrënimit të integritetit territorial të Kosovës, për qëllim ka edhe futjen e Shqipërisë nën tutelën e administrimit serb nën kamuflimin e të ashtuquajturit "Mini Shengen" për krijimin e një mini Jugosllavie të re, ku Serbia do ta ketë dominimin e plotë ekonomik dhe politik mbi këtë krijesë të re, e cila e gllabëron në tërësi pavarësinë e Kosovës”, tha Florim Zeqa për “Kosova Sot Online”. 

Sipas Zeqës, mbështetja e madhe që iu dha projektit nga ana e Edi Ramës, është një tradhti klasike ndaj Kosovës dhe interesit gjithë kombëtar shqiptar.

“Pra, "Mini Shengeni", s'është asgjë tjetër veçse një thikë pas shpine e Shqipërisë ndaj Kosovës, kur Shqipërinë nuk e lidhë asnjë pikë tokësore dhe as doganore me Serbinë, shfrytëzimi i Autostradave super të kushtueshme të Kosovës për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave serbe në drejtim të Shqipërisë dhe përtej Adriatikut në drejtim vendeve aziatike. Anashkalimi i plotë i Kosovës dhe shfrytëzimi i territorit të saj për tregti të lirë me Serbinë, e barazon keq Shqipërinë me agresion politik dhe ekonomik të Serbisë ndaj Kosovës, ku pushteti antipopullor i Edi Ramës, në të njëjtën kohë vënë barriera për lëvizjen e lirë të njerëzve dhe mallrave nga Kosova, i heq barrierat për invazionin e mallrave serbe në territoret shqiptare. Anashkalimi i Kosovës në "Mini Shengenin" Ballkanik apo Jugosllavinë e re nga ana e Shqipërisë, nënkupton kthimin e Kosovës sovrane si pjesë integrale apo koloni të Serbisë fashiste”, theksoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Për të gjitha arsyet e sipër cekura, sipas analistit Zeqa, jo vetëm që duhet penguar, por duhet kundërshtuar fuqishëm dhe me të gjitha forcat projektin sllav për "Mini Shengenin" Ballkanik, i cili për qëllim të fundit e ka, jo vetëm ndarjen e Kosovës, por gllabërimin në tërësi të territorit të saj dhe tokave shqiptare në përgjithësi.

“Pra në prag të 107 vjetorit të pavarësisë së shtetit shqiptar, Edi Rama ju dha mesazhin më të keq të gjithë shqiptarëve kudo që janë, atë të futjes nën tutelën serbo-sllave të trojeve etnike shqiptare. Ky hap antikombëtar i Edi Ramës, e shtron nevojën e reagimit në nivel kombëtar, e para së gjithash të ajkës intelektuale të dy shteteve shqiptare (Shqipërisë dhe Kosovës) për veprime energjike për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe pavarësisë ekonomike nga Serbia. Në të kundërtën, çdo vonesë në këtë drejtim do të na kushtojë me humbje të dyfishtë në planin politik të integrimeve evropiane dhe humbjes së tregut të brendshëm ekonomik”, përfundoi Zeqa për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)