E zbulon eksperti i njohur: Kështu funksionon nëntoka në drejtësinë kosovare

  • 23 November 2019 - 16:18
 E zbulon eksperti i njohur: Kështu funksionon nëntoka në drejtësinë kosovare

 “Drejtësia politike dhe e korruptuar në simbiozë me politikën e kriminalizuar kur kapin shtetin dhe shoqërinë aty shteti ka falimentuar. Kjo është gjendja më e rëndë ku bie shteti, dhe është edhe më e keqe se anarkia, pasi në anarki nuk sundon ligji, por në rastin kur sundon politika dhe ligji i korruptuar dhe i kriminalizuar gjendja shkon dhe agravon më rëndë se anarkia”, tha Kapiti për “Kosova Sot Online”.

 

Një nga detyrat më të vështira, por me peshë për zhvillimin dhe demokratizimin e shtetit që do ta ketë qeveria e re e Kosovës, sipas analistëve dhe ekspertëve të së drejtës do të jetë reformimi i sistemit të drejtësisë dhe shkëputja nga lidhjet me krimin e korrupsionin. 

Image
Skender Kapiti

Kështu ka thënë për “Kosova Sot Online”, edhe analisti dhe njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti.

Ai këtë vlerësim e bazon në faktin se drejtësia kosovare, aktualisht vazhdon të mbetet thellësisht e kontrolluar nga politika e inkriminuar dhe nëntoka kriminale, duke e shndërruar në degë të veten e të varur partiake. 

Prandaj sipas Kapitit, as qytetarët nuk munden të raportojnë në hetuesi dhe prokurori për korrupsion dhe krim, kur publikisht është e ditur dhe dëshmuar që hetuesia, prokuroria dhe gjyqësori janë në shërbim të pushtetarëve të inkriminuar, dhe të gjitha rastet e paraqitura në hetuesi dhe prokurori do të mbyllen automatikisht me urdhër të “mafiozeve” të politikës së inkriminuar. 

“Drejtësia politike dhe e korruptuar në simbiozë me politikën e kriminalizuar kur kapin shtetin dhe shoqërinë aty shteti ka falimentuar. Kjo është gjendja më e rëndë ku bie shteti, dhe është edhe më e keqe se anarkia, pasi në anarki nuk sundon ligji, por në rastin kur sundon politika dhe ligji i korruptuar dhe i kriminalizuar gjendja shkon dhe agravon më rëndë se anarkia. Në këtë gjendje qytetaria e humb edhe ajo statusin e vet, sepse nuk bëhet fjalë as për moralitet ,as për liri dhe as për të drejta njerëzore e humane por për gjendje para shtetërore dhe para civilizuese ku ligji nuk ekziston por edhe merr kuptimin dhe barasvleshmërinë me anti ligjin dhe shteti me antishtetin”, tha Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

Sipas Kapitit, ky është një anarkizëm në kundër kohë dhe në kundër modernitet. 

“Fajin e kësaj gjendjeje e ka burimin te injoranca e thellë e politikës dhe e sistemit të drejtësisë të cilat kanë uzurpuar intelektin, politikën, shtetin, drejtësinë si dhe virtytin, virtytet dhe moralitetin njerëzor. Kur shteti, ligji dhe drejtësia e demokracia keqpërdoren dhe manipulohen atëherë ato shndërrohen në të këqija e sëmundje të rënda sociale duke e bërë shoqërinë dhe instaluar një sistem të korruptuar, atëherë zor se mundet të dalë ndonjë gjë e mirë prej kësaj gjendjeje ku ajo ka precipituar”, deklaroi njohësi i kësaj fushe, Skënder Kapiti për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)