Pas përfundimit të rinumërimit, 24 orë afat për ankesa

  • 25 November 2019 - 11:00
Pas përfundimit të rinumërimit, 24 orë afat për ankesa

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke pritur partitë politike nëse kanë ndonjë ankesë në PZAP që të certifikojnë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit.

Kështu kanë deklaruar nga ky institucion në një përgjigje për media.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi ka bërë të ditur se janë duke pritur afatin 24 orësh për të parë nëse do të ketë ankesë, që pastaj të procedojnë me publikimin e rezultateve.

“Rinumërimi është përmbyllur në orën 14:00 të ditës së diele, prandaj duhet të presim afatin ligjor 24 orësh nëse ka ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR, para se të procedojmë me publikimin e rezultateve pas procesit të rinumërimit”, ka deklaruar Elezi.

Ndryshe, dje ka përfunduar rinumërimi i mbi 1400 vendvotimeve, për të cilat pati vendosur PZAP-ja pas ankesës së koalicionit NISMA-AKR-PD.

PZAP ndërkohë e ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për numërim të disa pakove që kanë ardhur jashtë afatit kohor nga diaspora.

(Kosova Sot Online)