Fundi i maratonës zgjedhore, ankesa në Kushtetuese s’pengon certifikimin e rezultatit

  • 27 November 2019 - 15:47
Fundi i maratonës zgjedhore, ankesa në Kushtetuese s’pengon certifikimin e rezultatit

Sot janë bërë saktësisht 52 ditë prej kur kosovarët e dhanë votën e tyre në zgjedhjet e gjashtë tetorit. Derisa partitë politike kanë shfrytëzuar të gjitha mundësitë për të ushtruar ankesë aty ku vlerësonin se procesi  nuk ka shkuar në rregull, certifikimi i zgjedhjeve do të bëhet tek sot. Ankesa e Nismës në Kushtetuese, e vetmja që nuk është proceduar deri më tani, sipas njohësve të çështjeve zgjedhore nuk do të prish punë diçka në rezultat.

Zgjedhjet e gjashtë tetorit, u thanë se ishin më të mirat që nga paslufta, nga liderët që synuan pozitën e kryeministrit. Megjithatë, të gjitha partitë politike, e kandidatët për deputetë kanë shfrytëzuar të gjitha afatet që sipas ligjit të ankohen në të gjitha instancat lidhur me procesin zgjedhor.

Përfundimi i shqyrtimit të këtyre ankesave është bërë tek sot, kur Gjykata Supreme në një përgjigje për  media ka njoftuar se e ka kthyer si të pabazuar ankesën e Vetëvendosjes për disa kuti me fletë votime të ardhura nga diaspora.

Kërkesa e partisë së Albin Kurtit iu jep fund çështjeve që ishin dorëzuar për shqyrtim në PZAP dhe në Gjykatë Supreme. Kjo i ka hapur rrugë certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve.

Nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve kanë njoftuar pas vendimit të Supremes, në një përgjigje për media, se certifikimi i rezultateve do të bëhet sot në ora 16:00.

“Sot, më 27 nëntor në orën 16:00, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të certifikojë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës që janë mbajtur më 6 tetor 2019”, ka bërë të ditur zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Rinumërimi i më shumë se gjysmës të vendvotimeve, që pati ardhur pas ankesës së koalicionit NISMA-AKR-PD, bëri pak ndryshime në rezultatin zgjedhor, derisa, më së shumti hairin ia panë ky koalicion. NISMA-AKR-PD arritën që të sigurojnë kalimin e pragut zgjedhor, e radhiten vetëm me pak vota me 5%. Megjithatë, kjo dëme ju bëri VV-së e partive tjera që ia mori një numër të deputetëve.

Ky koalicion nga frika e mos kalimit të pragut ishte ankuar edhe në një instancë tjetër.

Më 22 nëntor, koalicioni me kandidat për kryeministër, Fatmri Limaj ishte drejtuar në Gjykatë Kushtetuese, me shpresë se kjo do të vendoste në favor të tyre e nuk do të kishin më probleme me pragun. Megjithatë, Kushtetuesja nuk ka vendosur ende për këtë ankesë.

Njohësit e procesit zgjedhor po vlerësojnë se kjo nuk do të ndikojë në certifikim të zgjedhjeve, apo ndryshim të rezultatit të deritanishëm.

Ish-kreu i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu ka thënë për media se ankesa e koalicionit NISMA-AKR-PD nuk do të shtyjë procesin zgjedhor.

“Nuk munden me e shty procesin, sepse procedurat ligjore nënkuptojnë se në gjendjen që e kemi tani 72 orë rrjedh afati ligjorë që të merret vendim për ankesën e VV-së, për votat e diasporës. Pas këtij afati KQZ-ja kërkon nga Gjykata Supreme që është instanca më e lartë e gjyqësisë në Kosovë, që a ka edhe ndonjë çështje në trajtim apo jo, nëse s’ka mbaron procesi dhe shpallen rezultatet. Atëherë lind edhe një afat tjetër për t’u ankuar subjektet e caktuara, ose kandidatët dhe nëse s’ka ankesë bëhet certifikimi. Mandej fillon afati 30 ditor kur duhet presidenti që të thërras seancën për konstituim të Kuvendit. Nuk ka asnjë ndikim kërkesa e Nismës në Gjykatën Kushtetuese. Nuk ka asnjë pasojë apo efekt juridik në procesin elektoral të 6 tetorit. Nëse ka vendos PZAP dhe Gjykata Supreme atëherë kjo punë përfundon me certifikim e rezultateve dhe fillon institucionalizimi i vendit”, tha ai.

Baraliu shtoi se rast konkret mund të merret rasti i zgjedhjeve të kaluara komunale, kur PDK dhe LDK e quan rezultatin zgjedhorë në Gjykatë Kushtetuese. Vendimi kishte dalë muaj më vonë, pasi që veç kishin filluar punën institucionet në vend.

Njohësi i procesit zgjedhor, Blerim Vela në një përgjigje për media ka thënë se ankesat e Nismës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për fletëvotimet nga diaspora që janë pranuar pas datës 5 tetor, nuk do të kenë efekt të drejtpërdrejtë, derisa Gjykata nuk vendos masë të përkohshme për suspendimin e procesit të certifikimit të rezultatit zgjedhor.

“Ankesa e Nismës drejtuar Gjykatës Kushtetuese për fletëvotimet nga diaspora të pranuara pas datës 5 tetor nuk pritet të kenë efekt të drejtpërdrejtë përderisa Gjykata nuk vendos masë të përkohshme për suspendimin e procesit të certifikimit të rezultatit zgjedhorë dhe konstituimit të Kuvendit. Edhe nëse Gjykata Kushtetuese e pranon si të bazuar ankesën e Nismës do t’i nevojitet kohë deri në nxjerrjen e aktgjykimit. Andaj, nuk pres të ketë ndikim të menjëhershëm në procesin e krijimit të institucioneve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor. Gjithsesi, një aktgjykim hipotetik në favor të Nismës nuk do të ndryshojë në mënyrë substanciale rezultatin zgjedhor pasi që fituesi i zgjedhjeve dhe renditja e partive do të mbetet e njëjtë”, tha Vela.

“Në dy ciklet e fundit zgjedhore në vitin 2014 dhe 2017, KQZ arriti që pas 27 ditësh nga dita e mbajtjes së zgjedhjeve të certifikoj rezultatin zgjedhor. Sivjet ka tejkalim të këtij trende dhe po i afrohemi rekordit të ri të vitit 2010 ku pas vjedhjes industriale të votave që u pasua me rivotim, u deshën 57 ditë për të certifikuar rezultatin zgjedhoë”, thotë ai, derisa shton se përkundër vonesave, trajtimi i ankesave nga partitë politike është bërë brenda afateve ligjorë.

Blerim Vela po thotë se vonesat në certifikim të rezultatit zgjedhor pas gjashtë tetorit kanë ardhur si pasojë e dy shkaqeve. E para është mënyra e trajtimit të fletëvotimeve të pranuara me postë nga jashtë Kosovës. E dyta ndërkaq, lidhet me vjedhjen e votave të kandidatëve brenda të njëjtës listë zgjedhore nga komisionerët partiak.

Njohësi i procesit zgjedhor ka propozuar reformë zgjedhore për të siguruar integritetin e zgjedhjeve dhe lehtësuar mundësitë e personave nga jashtë Kosovës që të marrin pjesë në zgjedhje.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme pas dorëhëeqjes së Ramush Haradinaj nga pozita e kryeministrit janë mbajtur me gjashtë tetor. Vetëvendosje është konfirmuar si parti e parë, derisa pas saj radhitet Lidhja Demokratike e Kosovës. 

(Kosova Sot Online)