Dëmet e tërmetit shkojnë deri në Kukës, banori: Shteti nga shteti nuk ka ardhur

  • 01 December 2019 - 14:23
Dëmet e tërmetit shkojnë deri në Kukës, banori: Shteti nga shteti nuk ka ardhur

Tërmeti i 26 nëntorit ka thelluar dëmtimet në këtë pallat në lagjen e re të Bulqizës ku banojnë 45 familje.

Ndërtesa ka pësuar çarje dhe ekspertët kanë këshilluar bashkinë të evakuojë banorët në mënyrë që të mos rrezikohen tragjedi.

Por banorët thonë se zyrtarët e bashkisë vetëm u kanë thënë të largohen, por pa u ofruar një vend strehimi, ndërsa pallatit nuk i është vënë as shirit bllokimi.

Banore: “Specialistët nuk kanë ardhur të thonë është apo nuk është e garantuar jeta në këtë pallat.”

Në këtë situatë pasigurie, disa familje kanë braktisur banesat, por të tjerë vijojnë të qëndrojnë aty.

Pasoja të tërmetit janë evidentuar edhe në Kukës, ku rezultojnë të dëmtuara 63 shtëpi, 2 objekte shkollore dhe një objekt kulturore. 

Zenel Kuçana: “63 shtëpi banimi janë të dëmtuara, nga këto 9 janë në Kukës, 46 në Has dhe 8 në Tropojë. Po ashtu janë dëmtuar dy shkolla, si edhe dëmtime ka pasur pallati i kulturës “Hasan Prishtina” në Kukës.”

Në Vlorë, dy pallate janë ngjitur me njëri tjetrin në lagjen 29 nëntori.

Banorët thonë kjo ka ndodhur pas tërmetit të 26 nëntorit, i cili sipas tyre ka prekur bazamentin e njërit prej pallateve.

Ndaj ata kërkojnë marrjen e masave të menjëhershme për të vlerësuar situatën.

Ndërkohë në zonat e prekura nga tërmeti, krahas banesave vijon evidentimi i dëmeve në infrastrukturë.

Këto pamje tregojnë dëmtimin e urës pranë stacionit hekurudhor në Ishëm që është dëmtuar nga tërmeti.

(Kosova Sot Online)