“Stop, kujdes, hajde me mendje kur flet. Bëni budallallëqe kot”, zbardhet debati i Lleshajt me kreun e Urbanistikës për pallatin e Pjerin Ndreut

  • 04 dhjetor 2019 - 11:13
“Stop, kujdes, hajde me mendje kur flet. Bëni budallallëqe kot”, zbardhet debati i Lleshajt me kreun e Urbanistikës për pallatin e Pjerin Ndreut

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka pasur një debat të fortë me banorët e një pallati 12-katësh në Lezhë, si dhe me drejtorin e Urbanistikës në Bashkinë Lezhë. 

Pallati në fjalë ndodhet në lagjen “Besëlidhja” dhe sipas banorëve ndërtesa ka pësuar dëmtime nga tërmeti i fortë i 26 nëntorit. Banorët kanë deklaruar se prej tri ditësh kanë kërkuar që pallati të verifikohet nga ekspertët nëse është i banueshëm ose jo. Por, një pretendim i tillë, është cilësuar i pa vend nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, pasi sipas tij ndërtesa është e sigurt.

Pas një debati të gjatë me banorët, ministri pati dhe replika të forta me një nga inxhinierët e Bashkisë së Lezhës. Në pallatin në fjalë, banon dhe vetë kryetari i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, dhe sipas banorëve dhe inxhinierëve, ka qenë vetë Ndreu që ka folur për dëmtime të rënda në pallat.

Gjatë debatit me tone të ashpra me drejtorin e Urbanistikës në bashki, Nik Leka, Lleshaj i kërkoi atij që të mos përhapë panik. Në fund, Lleshaj është dorëzuar para kërkesës së banorëve që pallati të verifikohet nga ekspertët dhe më pas të arrihet në konkluzion.

Për këtë arsye, ditën e mërkurë, pallati 12-katësh, i cili është ndërtuar vitet e fundit, do të inspektohet nga specialist, të cilët pritet të mbërrijnë nga Tirana për të dhënë një konkluzion përfundimtar në lidhje me shkallën e dëmtimit.

Aktualisht, një pjesë e banorëve po qëndrojnë brenda, ndërsa shumë të tjerë janë larguar, pasi kanë frikë të qëndrojnë aty nga dëmtimet qe ka pësuar nga tërmeti i 26 nëntorit.

DEBATI

Lleshaj: Unë nuk jam ekspert, por nga ajo që shoh, ky është ndër pallatet më në gjendje që kam parë në Tiranë dhe kudo. Unë për veten time, me pas për të qëndruar një javë këtu në Lezhë, vij e banoj në këtë pallat. Kjo nga një arsyetim i thjesht: këto pallate mbahen me kolona, jo me mure. Për të nxjerrë merakun tuaj, le të vijë eksperti, por këtu nuk është thyer asnjë xham. Nëse jua ka prish mendjen dikush…

Banori: Ne kërkojmë që të na sillni specialistët këtu. Vetëm këtë kërkojmë.

Lleshaj: Unë erdha për të parë dhe i thashë një zonje këtu: a ka ndonjë apartament bosh të vij të rri një javë?

Banori: Hajde rri me mua sonte… ideja është me sjellë specialistët që ta kontrollojnë, se nuk bëhet me duar në xhepa kjo punë.

Lleshaj: Asnjë borxh nuk të kam…

Banor tjetër: Jo, borxh na ke, se je shteti këtu. Ne paguajmë taksat. Duhet me na sqaru, a duhet të qëndrojmë apo jo brenda.

Lleshaj: Çfarë borxhi të kam? Banori: Paguajmë të gjitha taksat për sigurinë e jetës.

Lleshaj: Jo taksë për sigurinë e banesës nuk ke paguar…

Banori: Nuk kam pse e paguaj këtë taksë.

Lleshaj: Tani do më lini të flas apo jo? Banori: Kemi tri ditë që presim nga shteti.

Lleshaj: Për çfarë po prisni? Kush u ka thënë që të dilni?

Banori: Kryetari i Bashkisë së Lezhës bashkë me inxhinierët e bashkisë. Na kanë thënë që është dëmtuar rëndë. Ja ky është inxhinieri i bashkisë.

Leka: A mund të sqaroj diçka, të lutem. Kemi verifikuar dhe në katër anët, trarët janë të çarë. Na duhet një ekspertizë më e specializuar…

Lleshaj: Ti je shefi i Urbanistikës? Ti duhet të kesh shumë kujdes kur përhap panik te banorët.

Leka: Nuk e kam thënë unë.

Lleshaj: Kush e ka thënë?

Leka: E ka thënë kryetari i bashkisë.

Lleshaj: Po kryetari ça është, ça është…

Leka: Në gjykimin tim, ishte shumë e rrezikshme për njerëzit.

Lleshaj: Kjo është xham e gjitha, asnjë xham nuk është thyer, bëni budallallëqe kot.

Leka: Situata nuk është e mirë…

Lleshaj: Stop, kini kujdes. Nëse i thua vetes inxhinier, kujdes, dhe hajde me mendje kur flet. Pas qetësimit të situatës, në pallatin 12-katësh ka mbërritur dhe vetë kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu. Lleshaj dhe Ndreu u kujdesën që e gjithë situata të mos interpretohej si përplasje mes ministrit dhe bashkisë. Vetë ministri i Brendshëm, duke bërë një tërheqje nga qëndrimi i mëparshëm, deklaroi se nuk ishte ekspert për të përcaktuar nëse pallati ishte i sigurt apo jo dhe për këtë arsye nga Tirana do të mbërrinin përfaqësues të Institutit të Ndërtimit për të dalë në konkluzion. Kurse kreu i bashkisë, Pjerin Ndreu, tha se banorët kanë të dejtë të ngrenë dyshime për dëmtimin e pallatit dhe për këtë arsye kërkohet mendimi i ekspertëve. Nga fjalia e tij e fundit u kuptua se Sandër Lleshaj u tërhoq nga qëndrimi i tij, pasi tha se, sa kohë ekspertët nuk kanë folur, askush nuk do të hyjë në pallat.

Lleshaj: Asnjë përplasje nuk ka pasur. Me hy këtu (në pallatin 12-katësh) gjysmën i kam njerëzit e mi, nuk ngelen jashtë, gjejnë strehë. Kam ardhur për të parë, sepse është përhapur njëlloj shqetësimi për sigurinë e këtij pallati. Kam ardhur vetëm për të parë, unë nuk jam ekspert. Erdha për të parë shqetësimin e banorëve, pasi janë shumë të shqetësuar. Unë me thënë të drejtën e shoh pa arsye të gjithë këtë shqetësim. Megjithatë këta banorë janë të shqetësuar dhe për ta trajtuar këtë shqetësim të tyre, ne kemi marrë masa që të vijnë ekspertë nga Tirana, ekspertë nga Instituti i Ndërtimit për të parë dëmtimet që ka pallati. Po të kishte rrezik, do t’i kishim nxjerr edhe këta banorë me policë jashtë. Po të ishte për mua, do të kisha fut dy policë brenda, sepse nuk shoh ndonjë rrezik. Megjithatë fjalën e fundit do ta thonë ekspertët nga Tirana.

Pjerin Ndreu: E para njëherë ky term i përplasjes është fantazi e juaja. Këtu banoj unë, kryetari i bashkisë. Ne kemi identifikuar disa pika, ku kemi të drejtë të dyshojmë, sepse ne nuk jemi inxhinierë, as ministri, as unë. Në pamundësi për ta dhënë ne konkluzionin që duhet, kemi thirr ekspertët. Për sa kohë ekspertët nuk e kanë thënë fjalën e tyre, banorët nuk do të hyjnë në pallat.

(Kosova Sot Online)