I ngritën kurth e më pas e vranë, 28 vjet burgim për të akuzuarit për vrasjen e rëndë në Vushtrri

  • 23 December 2019 - 16:44
I ngritën kurth e më pas e vranë, 28 vjet burgim për të akuzuarit për vrasjen e rëndë në Vushtrri

Gjykata Themelore në Mitrovicë, të hënën, i ka dënuar me 28 vjet burgim tre të akuzuarit për rastin e vrasjes së rëndë te lumi “Sitnica” në Vushtrri.

Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, akuzohen se më 6 gusht 2017, për motive të ulëta dhe në mënyrë mizore, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

I pandehuri Liburn Ajazaj, është dënuar me 18 vjet burg për vrasje të rëndë, ku në këtë dënim do t`i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i është shqiptuar gjobë prej 300 euro për armëmbajtje pa leje.

Ndërsa, të pandehurit Rejahan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, secili veç e veç, janë dënuar me nga 5 vjet burgim efektiv, me ç’ rast në këtë dënim do t’u llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

Krahas kësaj, i pandehuri Liburn Ajazaj është ngarkuar edhe me 400 euro në emër të shpenzimeve procedurale, ndërsa të pandehurit Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, secili veç e veç, me nga 200 euro.

Këtë dënim e ka shqiptuar trupi gjykues me kryetar Tomisllav Petroviq, pasi më 19 dhjetor 2019, ishte mbajtur fjala përfundimtare në këtë rast.

Fillimisht, Liburn, Rejhan  dhe Qëndrim Xhakolli, nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë, akuzoheshin se më 6 gusht 2017, për motive të ulëta dhe në mënyrë mizore, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli.

Mirëpo, trupit gjykues, seancën e së hënës, e ka rikualifikuar veprën penale për Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, nga bashkëkryerje në ndihmë në vrasje të rëndë, për shkak se siç tha gjykatësi Petorviq, veprimet e këtyre të pandehurve nuk kanë përmbushur elementet e formës së bashkëkryerjes. 

Palët janë njoftuar se kanë të drejtë anekse brenda afatit ligjor, ndërsa pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Lidhur me rastin konkret, të akuzuarit Liburn dhe Rejhan Ajazaj, në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 4 korrik 2018, kishin pranuar fajësinë për kryerjen e veprës penale “vrasje e rëndë”, përderisa i akuzuari Qëndrim Xhakolli ishte deklaruar i pafajshëm, transmeton Betimi për Drejtësi.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve Ajazaj, nuk e kishte pranuar kryetari i trupit gjykues Tomisllav Petroviq pasi që sipas tij, ekziston lidhshmëria se të tre të akuzuarit, në bashkëkryerje e kanë kryer këtë vepër penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, të ngritur më 18 qershor 2018, Liburn Ajazaj, Rejhan Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli, akuzohen se më 6 gusht 2017, rreth orës 00:50, në shëtitoren “Enver Zymberi” afër lumit “Sitnica” në Vushtrri, duke vepruar së bashku dhe me marrëveshje paraprake, me dashje, kanë privuar nga jeta tani të ndjerin Kujtim Meholli, në mënyrë mizore dhe për motive të ulëta.

Bazuar në aktakuzë, vepra është kryer në atë mënyrë, që fillimisht e akuzuara Rejhan, e cila thuhej se ishte në lidhje dashurie me tani të ndjerin Kujtim, e fton të ndjerin në një takim, i cili pasi që takohet me të akuzuarën në fjalë, i njëjti është përcjellë nga dy të akuzuarit Liburn Ajazaj dhe Qëndrim Xhakolli.

Në aktakuzë thuhet, se pasi që e akuzuara Rejhan takohet me të ndjerin Kujtim, ky i fundit kërkon që të shkojnë afër lumit, meqenëse po lëvizin njerëz, dhe me të arritur aty, i akuzuari Liburn, i cili kishte qenë prapa tyre, kishte filluar që ta fyej tani të ndjerin Kujtim.

Në vazhdim të aktakuzës, thuhet se i ndjeri Kujtim Meholli, i është drejtuar të akuzuarit Liburn që të merren vesh me fjalë, mirëpo siç ceket në aktakuzë, ky i fundit me shufër metalike, fillon ta godasë tani të ndjerin, i cili nga goditjet e marra humb vetëdijen dhe bie përtokë.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit Qëndrim Xhakolli dhe Liburn Ajazaj, kanë vazhduar ta godasin atë dhe më pas duke e ngulfatur me një lidhëse, e më pas duke e hedhur në lum.

Me këtë, akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “vrasje e rëndë”  nga neni 179, paragrafi 1, nën paragrafin 1.4 dhe 1.8 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, i akuzuari Librun Ajazaj, akuzohet edhe për kryerjen e veprës penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

(Kosova Sot Online)