Zbulohen detajet e takimit: Kjo ishte oferta e fundit e LDK-së për VV-në

  • 10 janar 2020 - 17:14
Zbulohen detajet e takimit: Kjo ishte oferta e fundit e LDK-së për VV-në

Në kuadër të negociatave për bashkëqeverisje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës është përmendur si opsion edhe dorëzimi i funksionit të Kryeparlamentarit nga VV tek LDK.

Kështu bëjnë të ditur burime brenda takimit të djeshëm që zgjati rreth dy orë.

“LDK dje ka propozuar që Kryetari i Kuvendit të Kosovës t’i takojë LDK-së dhe ndarja e ministrive të bëhet ashtu siç janë dakorduar më herët 5 për VV dhe 5 për LDK. Po ashtu qëndrim i LDK ishte që funksionin e Kryeparlamentarit t’ia dorëzojë sërish VV-së në momentin që zgjidhet Presidenti i ri i nominuar nga LDK”, pohojnë burimet brenda këtij takimi. 

Ndërkohë media ka bërë përpjekje që edhe zyrtarisht të marrë qëndrimet e të dy partive lidhur me hapat që do të ndërmerren me tutje drejt finalizimit të marrëveshjes apo mbylljes së negociatave pa dakordim, por nuk kanë qenë të gatshëm të deklarohen asnjë nga përfaqësuesit e të dy partive.

Në orët e mbrëmjes së djeshem LDK përmes një komunikate ka konfirmaur se i ka paraqitur LVV-së ofertën për bashkëqeverisje, pa dhënë më tepër detaje.

“Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta. LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje”, thuhet në komunikatë.

(Kosova Sot Online)