Denoncimi i rëndë: Kështu po thellohet krimi dhe korrupsioni në Kosovë

  • 27 January 2020 - 07:39
Denoncimi i rëndë: Kështu po thellohet krimi dhe korrupsioni në Kosovë

“Prej pasluftës Kosova dhe qytetarët e saj janë duke vuajtur nga korrupsioni i nivelit të lartë, i instaluar nga kjo klasë politike, e sidomos nga partitë që udhëheqin shtetin prej shpalljes së pavarësisë. Por Qeveria e fundit i dha vule çështjes së korrupsionit”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Duke e komentuar raportin më të ri të organizatës “Transparency International” për gjendjen në institucionet e drejtësisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit, një raport akoma më negativ për Kosovën se ai i vit të kaluar, analisti politik, Faik Krasniqi konstaton se në këtë segment nuk mundë të ketë ndryshme pozitive, ngase drejtësia e kapur nga mafio-politika është instaluar dhe sistemuar si e tillë tash e dy dekada.

Kujtojmë se Kosova gjatë vitit 2019, për dallim nga viti 2018, ka shënuar akoma më shumë përkeqësim në luftën kundër korrupsionit, ku në vitin 2018 radhitej e 101-ta me 36 pikë, kurse vitin e kaluar vendi ynë ka kaluar në vendin e 93-të me 37 pikë.

Këtë trend në rritje të korrupsionit, sipas Krasniqit më së rëndi po e përjetojnë qytetarët, ata që po sundohen nga politika dhe drejtësia e inkriminuar së bashku.

Image
Faik Krasniqi

“Korrupsioni po e nxin jetën e qytetarëve të Kosovës si dhe padrejtësitë e tjera të mëdha, ku gjithçka bëhet me miqësi, klane, grupe me dredhi të fshehta, dinakëri e marrëveshje verbale. Prej pasluftës Kosova dhe qytetarët e saj janë duke vuajtur nga korrupsioni i nivelit të lartë, i instaluar nga kjo klasë politike, e sidomos nga partitë që udhëheqin shtetin prej shpalljes së pavarësisë. Por Qeveria e fundit i dha vule çështjes së korrupsionit”, thotë analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, drejtësia e mirëfilltë kosovare, as nuk ka pasur deri më sot, as nuk mundë të flitet për të, pasi ajo ka qenë dhe mbetet akoma e ndikuar thellësisht nga politika.

“Ndërhyrjet në sistemin e drejtësisë, kanë bërë qe lufta kundër korrupsionit të jetë një betejë e humbur. Me një fjalë, me njerëz të korruptuar nuk mundë të luftohet korrupsioni, sepse politika është ajo që e ka instaluar”, theksoi Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Krasniqi shton se korrupsioni është duke i prekur qytetarët drejtpërdrejtë.

“Prandaj shkaku i korrupsionit qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të ngelin të izoluar dhe të mos përfitojnë nga investimet e huaja, dhe të gjitha këto po shkaktohen nga korrupsioni që ka kapluar çdo institucion shtetëror, nga e cila po përfitojnë në maksimum oligarkët politike dhe të biznesit. Kjo gjendje nuk pritet të ndryshojë edhe për një kohë shumë të gjatë, sepse politikën e kemi të korruptuar. Por kur vije ajo ditë do të jetë tepër vonë, sepse njerëzit e ndershëm s'do të jenë më këtu”, përfundon analisti Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)