Motra në kërkim të vrasësve të vëllait

  • 01 February 2020 - 08:15
Motra në kërkim të vrasësve të vëllait

Valbona Berisha është duke dëshmuar në një gjykim në Gjykatën Themelore në Prishtinë kundër një personi, për të cilin ajo thotë se e ka parë duke ia marrë vëllain gjatë luftës në Kosovë. Që nga mbarimi i luftës, më 1999, krimet e luftës janë hetuar nga gjyqtarë dhe prokurorë të huaj. Që nga viti 2015, këtë rol e kanë marrë institucionet e Kosovës.

I akuzuari dyshohet për krime lufte në Pejë, gjatë luftës.

Ai u arrestua nga Policia e Kosovës në shkurt të vitit 2019, në një nga pikat kufitare.

Avokati Kujtim Kërveshi thotë se i akuzuari ka qenë pjesë e një grupi ushtarakësh serbë.

“Ky dyshohet se jka marrë pjesë në vrasje, në dëbim, plaçkitje pasi ka pasur një aktivitet në krejt këto veprime dhe dyshohet se është drejpërdrejtë vrasës id y qytetarëve të pambrojtur shqiptarë në atë kohë, konkretisht të ndjerit Skënder Zeqiraj dhe të ndjerit Bashkim Berisha’, ka thënë Kërveshi.

Ndërkohë, avokati Lubomir Pantoviq që mbron të akuzuarin, thotë se klienti i tij është i pafajshëm.

“Ne jemi praktikisht në fillimet e gjykimit, por unë jam i bindur se ai nuk është fajtor, dhe nuk ka prova të mjaftueshme rreth fajësisë”, ka thënë Pantoviq.

Gjatë luftës 1998-1999 në Kosovë humbën jetën rreth 13 mijë e 500 persona. Shumica prej tyre ishin shqiptarë. Mbi 1600 konsiderohen ende si të pagjetur.

Që nga mbarimi i luftës në vititn 1999, hetimet dhe gjykimet për krime lufte janë bërë nga UNMIK’u, Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë, si dhe EULEX’i. Por, nga viti 2015, kjo përgjegjësi i takon Kosovës.

Për krimet e luftës në Kosovë janë dënuar 67 persona.

(Kosova Sot Online)