Flet eksperti i sigurisë: Ja pse kosovarët po braktisin shtetësinë, kjo është e vërteta...

  • 04 February 2020 - 07:53
Flet eksperti i sigurisë: Ja pse kosovarët po braktisin shtetësinë, kjo është e vërteta...

“Me ardhjen në pushtet të të „fortëve“që populli i llogariste si të tillë që e çliruan vendin, Kosova stagnoj dhe u katandis nga po këta që e udhëhoqën këtë shtet të ri, nga fillimi e deri më tani, sepse ata në plan të parë e patën se si të pasurohen për vete, gjë që ia arritën qëllimit, sepse i punësuan familjarët e tyre dhe instaluan në çdo institucion fenomenin e nepotizmit”, thotë Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Eksperti i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava e ka vlerësuar tepër shqetësues për shtetin e Kosovës, raportimin e shifrave për qytetarët të cilët po vazhdojnë ta braktisin vendin.

Sipas raportimit të fundit, në vitin 2019 mbi 5 mijë qytetarë të Republikës së Kosovës kanë hequr dorë nga nënshtetësia kosovare, duke zgjedhur një nga shtetet e Bashkimit Evropian, ku ata janë sistemuar me vende pune dhe si familje për vazhdim të jetës më të mirë.

Image
Hajrullah Ternava

“Na kujtohen edhe vitet 70-80, kur shteti i RSFJ-së kishte edhe kontrata me shtetet e perëndimit, sidomos me Gjermanin dhe një numë tjetër shtetesh, që për qytetarët të cilët nuk po mundë të punësoheshin në Kosovë, e kishin mundësinë dhe detyroheshin të shkojnë për punë në në Gjermani, por të pakët ishin ata që i merrnin edhe familjet me veti. Edhe pse shkonin në perëndim, kur gjenin një vend pune, përsëri ktheheshin, sepse dëshironin që të jenë pranë familjeve të tyre, në vendin e vetë”, thotë Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Më tej, Tërnava thotë se askush nuk e ka menduar që diçka që ka ndodhur me detyrim në periudhën e para luftës, do të ndodhë edhe pas luftës.

“Braktisja e shtetit madje edhe duke hequr dorë me letra nga shtetësia, por kjo lëvizje e pa kthyeshme po imponohet nga kapja e shtetit prej krimit e korrupsionit, mungesa e zhvillimit ekonomik dhe humbja e shpresës për të gjetur një vend pune. Me ardhjen në pushtet të të „fortëve“që populli i llogariste si të tillë që e çliruan vendin, Kosova stagnoj dhe u katandis nga po këta që e udhëhoqën këtë shtet të ri, nga fillimi e deri më tani, sepse ata në plan të parë e patën se si të pasurohen për vete, gjë që ia arritën qëllimit, sepse i punësuan familjarët e tyre dhe instaluan në çdo institucion fenomenin e nepotizmit”, shton Tërnava për “Kosova Sot Online”.

Kapja e shtetit nga të fortit e politikës të lidhur me krimin e organizuar, sipas Tërnavës i shuan shpresat e kryefamiljarëve për fëmijët e tyre, e ku të rinjtë po e shohin të ardhmen sa më larg Kosovës.

“Tani duke pritë me vite të tëra qytetarët, se ndoshta këta udhëheqës do të mendojnë edhe për të mirën e qytetarëve të rëndomtë, janë lodhur nga pritja dhe përfundimisht kanë par që nuk ka shpresa. Prandaj tani ata që janë të aftë për krah pune, e sidomos të rinjtë, ditë e për ditë po e lëshojnë Kosovën, me të madhe, duke migrua në shtete të perëndimit, për një jetë më të mirë, prandaj që në rastin e parë që e gjejnë vendin e punës, i pranojnë edhe kushtet për heqje dorë nga shtetësia Kosovare. Prandaj në këto rrethana është normale qe vetëm në vitin 2019, pesë (5)mijë qytetar kanë hequr dore nga nënshtetësia kosovare e që janë vendosur në shtetet e Bashkimit Evropian”, përfundon Hajrullah Tërnava për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)