Vjen kërkesa urgjente për Glauk Konjufcën, shkak oligarku Shkëlqim Devolli

  • 10 February 2020 - 07:57
Vjen kërkesa urgjente për Glauk Konjufcën, shkak oligarku Shkëlqim Devolli

“Pas gjithë këtyre manipulimeve të Pacollit me shokë, shpresojmë që përfundimisht ministri i ri i Glauk Konjufca do ti korrigjo dallaveret e qeverisë së kaluar dhe sidomos këto që kanë të bëjnë me Shkëlqim Devolli, që ky të mos mbetet më Konsull Nderi në Malin e Zi, si dhe të ndërmarrë edhe masat e nevojshme ligjore për veprimet e papërgjegjshme të Behgjet Pacolli, lidhur me këtë rast skandaloz por edhe rastet e tjera”, thotë Qarri për “Kosova Sot Online”.

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve në vend, Gani Qarri kërkon nga Ministri i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca që t’i rishikojë dhe t’i anulojë të gjitha vendimet skandaloze që janë marr në këtë ministri nga ish ministri, Behgjet Pacolli, vendime të cilat jo vetëm se kanë qenë të kundërligjshme, por edhe i kanë dhënë imazh të keq shtetit të Kosovës në arenën ndërkombëtare.

E një nga ato vendime që do të duhej anuluar me urgjencë nga MPJ dhe Ministri Glauk Konjufca, sipas Qarrit është titulli i Konsullit të Nderit në Republikën e Malit e Zi, i vendosur nga Behgjet Pacolli për Shkëlqim Devollin.

Image
Gani Qarri

“Fatkeqësisht me vendim të Behgjet Pacollit, biznesmeni Shkëlqim Devolli ishte emëruar në postin diplomatik, nga shteti i Kosovës si Konsull Nderi në Malin e Zi. Madje Behgjet Pacolli, kishte vendosur për Konsull Nderi në Malin e Zi, një mafio-oligark si Shkëlqim Devolli, të cilin SHBA-të e kanë futur në Listë të zezë dhe atij nuk i lejohet hyrja në Amerikë! Dhe në këtë rast, jo vetëm emërimi në vete që është tejet skandaloz, por edhe vendimi në fjalë nuk mban as datë dhe vetëm pretendohet, që ai të jetë nxjerrë në gusht të vitit 2019, me të cilin vendim Pacolli emëron konsull të Kosovës në Mal të Zi, personin e lidhur me krimin e organizuar dhe njeriun që Amerika e ka futur në listë të zezë. Ky veprim ja ka ulur rëndë imazhin shtetit të Kosovës, jo vetëm tek vendet fqinjë të rajonit, por edhe në raport me Shtetet e bashkuara të Amerikës”, thotë analisti Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

E sipas Qarrit, dëm të madh nga pozita e konsullit, vëllezërit Devolli po i shkaktojnë shtetit edhe në fushën e ekonomisë dhe të financave.

“Shkëlqim Devolli bashkë me vëllamin e tij, Blerimin kanë zhvatë dhe vazhdojnë ende të zhvatin, miliarda euro nga qytetaret e varfër dhe institucionet publike të shtetit të Kosovës. Për aq më tepër, Shkëlqim Devolli, e ka keqpërdorur edhe postin tjetër, derisa ishte si konsull i Maqedonisë në Pejë, duke bërë evazion fiskal pa ndërprerë, pasi që mënyra e të bërit biznes për vëllezërit Devolli, është pikërisht përmes krimit dhe nëntokës kriminale duke përdorur çdo resurs, përfshirë edhe emërtimet si konsuj nderi, për të keqpërdorur dhe dëmtuar buxhetin e shtetit të Kosovës”, shton Qarri për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas tij, zgjidhja e vetme për ta shpëtuar shtetin e Kosovës nga vazhdimi i humbjes së imazhit ndërkombëtar, për shkak të dallavereve në MPJ nga Pacolli për dy vitet e kaluara, por edhe më herët, është rishikimi i plotë i vendimmarrjes në këtë ministri.

“Pas gjithë këtyre manipulimeve të Pacollit me shokë, shpresojmë që përfundimisht ministri i ri i Glauk Konjufca do ti korrigjo dallaveret e qeverisë së kaluar dhe sidomos këto që kanë të bëjnë me Shkëlqim Devolli, që ky të mos mbetet më Konsull Nderi në Malin e Zi, si dhe të ndërmarrë edhe masat e nevojshme ligjore për veprimet e papërgjegjshme të Behgjet Pacolli, lidhur me këtë rast skandaloz por edhe rastet e tjera”, përfundon analisti politik, Gani Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)