PDK-së i vjen ‘goditja’ e rëndë, ja pse po e bojkoton Kuvendin

  • 12 February 2020 - 17:17
PDK-së i vjen ‘goditja’ e rëndë, ja pse po e bojkoton Kuvendin

“Nuk do ta quaja luftë kundër Vjosa Osmanit, por arsyeja e humbjes së pushtetit dhe të mirave që ju ka sjellë pushteti. PDK duhet t'i kthehet Kuvendit. Njëkohësisht edhe të bëjë reforma të thella në parti. Përndryshe, s’mund të këndellet kurrë”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Analistët politikë po vazhdojnë ta kritikojnë ashpër sjelljen me obstruksione që opozita e prirë nga PDK dhe Kadri Veseli, e kanë filluar në këtë mandat të ri të Kuvendit të Kosovës, me qëllim që ta pamundësojnë funksionimin normal të koalicionit LVV-LDK.

Sipas analistëve, Kadri Veseli po mundohet që duke e mbajtur peng grupin e tij parlamentar nga pjesëmarrja në kryesinë e Kuvendit, me bojkotimin e tyren ta shpërqendrojë vëmendjen e opinionit publik nga e kaluara e zhytjes në krim dhe korrupsion, të institucioneve të larta të shtetit të drejtuara nga PDK me aleatët e saj.

Analisti politik, Faik Krasniqi kërkon që PDK t’i kthehet debatit në Kuvend dhe reformave brenda partiake, për të bërë politikë serioze në funksion të zhvillimit të demokracisë dhe pluralizmit politik.

Image
Faik Krasniqi

“Ky rebelim i PDK-së ka të bëjë me zemërimin e Kadri Veselit për humbjen e pushtetit dhe mbetjen në opozitë, diçka që nuk e ka përjetuar kaherë PDK-ja. PDK ka kohë që s'kanë qenë në opozitë. Janë mësuar vetëm me pushtet. Kanë harruar se si bëhet opozitarizmi. Ditën kur u krijuar Qeveria u pa nervozizmi i tyre. Fjalime të ashpra dhe tone kërcënuese. Jo vetëm nga PDK, por edhe nga AAK dhe Nisma. Nuk është lehtë të heqësh dorë prej privilegjeve të pushtetit, tenderëve dhe zhvatjes së shtetit. Duhet të jemi më të "mirë kuptueshëm" me ta”, thotë Krasniqi për “Kosova Sot Online”. 

Ai thotë se nuk e sheh këtë bojkot si luftë politike ndaj kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmanit, por kryekëput pakënaqësi nga humbja e pushtetit dhe pamundësi e akomodimit në opozitë pa pushtet.

“Nuk do ta quaja luftë kundër Vjosa Osmanit, por arsyeja e humbjes së pushtetit dhe të mirave që ju ka sjellë pushteti. PDK duhet t'i kthehet Kuvendit. Njëkohësisht edhe të bëjë reforma të thella në parti. Përndryshe, s’mund të këndellet kurrë”, përfundon analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)