Kurti nuk ndalet, shkarkon edhe bordin e Telekomit
(E plotësuar) - Ka filluar mbledhja e Qeverisë së Kosovës.
Mbledhja e kryesuar nga kryeministri Albin Kurti ishte paraparë të fillojë në ora 15:30, por që nisi me vonesë.
Ministrja e Tregtisë e Industrisë, Rozeta Hajdari i ka propozuar Qeverisë së Kosovës shkarkimin e drejtorëve të Bordit në PTK.
Para kabinetit të Qeverisë, ministrja Hajdari ka dhënë arsyet e këtij propozimi.
“Është në gjendje të rëndë financiare, ndodhet në prag të falimentimit. Rrezikon pronën publike, rendin publik dhe sigurinë kombëtare. Në këto rrethana, konstatoj domosdoshmërine e veprimit të qeverisë. Duke patur parasysh edhe gjetjet e raportit të auditimit. Drejtorët duhet të shkarkohen për tri arsye, nuk kanë përmbushur planet, drejtorët kanë shkelur detyrat fiduciare, dhe kanë lejuar shpenzime të tepërta e të panevojshme” ka thënë ministrja Hajdari.
Zëvendëskryeministri Avdullah Hoti ndërkaq i ka propozuar ministres që të mblidhet Komiteti Ministror, pastaj të merret vendimi.
Shfuqizohet vendimi për përfitimet e zyrtarëve edhe pas mandatit
Qeveria e Kosovës ka votuar për të shfuqizuar vendimin për përfitimet e zyrtarëve edhe pas përfundimit të mandatit.
Kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se vendimi i qeverive paraprake duhet që të shfuqizohet për arsye se momentalisht ka pasoja të mëdha nga numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave.
“Të shfuqizohet vendimi për përfitimet e zyrtarëve pas mbarimit të mandateve të tyre. Kemi pasoja të mëdha posaçërisht nga numri i madh i ministrave dhe zëvendësministrave nga qeveria e kaluar”, tha Kurti.
(Kosova Sot Online)